Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nënshkruan një marrëveshje partneriteti gjatë një takimi në Phenian, në një përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe ushtarak, si dhe për të çimentuar një front të bashkuar kundër Uashingtonit. Marrëveshja përfshin një zotim për ndihmë të ndërsjellë, nëse ndonjëri nga këto dy vende sulmohet.
Vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut në 24 vjet ndodh mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh, që do të siguronte furnizimin e Moskës nga Phenani me municione të nevojshme për luftën e Rusisë në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transferimeve të teknologjisë. Ekspertët thonë se kjo do të rriste kërcënimin nga programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave me rreze të gjatë veprimit të Koresë së Veriut.
Duke folur pas një ceremonie nënshkrimi, udhëheqësi koreano-verior Kim Jon Un e quajti marrëveshjen “traktatin më të fortë ndonjëherë” të nënshkruar midis vendeve që i vendos marrëdhëniet e tyre në nivelin e një aleance dhe do të lehtësojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme duke përfshirë politikën, ekonominë, kulturën dhe ushtrinë.
Presidenti Putin tha se çështjet e sigurisë dhe ndërkombëtare përshkuan një pjesë të madhe të bisedimeve. Mediat shtetërore ruse e cituan atë të ketë thënë se Rusia nuk do të përjashtonte zhvillimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik me Korenë e Veriut sipas marrëveshjes.
Discussion about this post