Pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, kreu i Partisë Demokratike ka përsëritur sërish apelin për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme para Parlamentit.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të reflektonte për deklaratat e Presidentit Meta, që kërkoi hapa pas si nga opozita ashtu edhe nga maxhoranca në lidhje me krizën politike, kryedemokrati përgjigjet prerë.
“Unë nuk kam ndërmend të komentoj deklaratat e Presidentit, po në përballje me qeverinë e kapur nga krimi për të vjedhur zgjedhjet nuk ka për të pasur hapa pas, por vetëm hapa para drejt largimit të Edi Ramës, duke nisur që nesër në orën 10:00. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve për pjesëmarrje masive nesër para Asamblesë së Krimit. Kjo është një betejë që na bashkon e nuk na ndan. Nuk është betejë për pushtet apo për një parti. Nuk do të ketë asnjë hap pas nga opozita”, u shpreh Basha.
“Në përballje me krimin e organizuar nuk ka për të pasur asnjë hap pas por vetëm hapa përpara. Vetëm hapat përpara do ti japin shqiptarëve atë që meritojnë, asnjë hap pas por hapa përpara duke u nisur nesër me qytetarët në protestë, i bëj thirrje bashkëqytetarëve që të vijnë masivisht”, shtoi kreu i PD-së.
Protesta pritet të nisë nesër rreth orës 09:00, ndërsa seanca plenare është parashikuar për në orën 10:00.