Një festë e kthyer në tragjedi! Ky “Shën Valentin” rezultoi fatal për çiftin Zef Sinani dhe Megi Xhetani, përkatësisht 34 dhe 20 vjeçe, të cilët kishin vetëm 3 muaj të fejuar së bashku.
Ata kishin shkuar për ta festuar “Shën Valentinin” në Pogradec dhe të kalonin një ditë të veçantë, por kthimi rezultoi fatal për ta. Automjeti me të cilin udhëtonin, tip “Mercedes Benz” me targa “AA 716 KS”, u përplas me një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut, në aksin Prrenjas-Librazhd. Aksidenti tragjik ndodhi në mesnatë, gjatë orës 00:10, pranë fshatit Pishkash.
Si pasojë e aksidentit, 20-vjeçarja Megi Xhetani, e cila ishte pasagjere në automjet, humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, i fejuari i saj, i cili ishte drejtuesi i automjetit, mbeti i plagosur rëndë dhe fillimisht u dërgua në spitalin e Librazhdit dhe më pas në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Por, për shkak të gjendjes kritike për jetën, bluzat e bardhe vendosën ta dërgonin tek spitali i Traumës në kryeqytet për mjekim më të specializuar.
Burime bëjnë me dije se çifti jetonte në qytetin e Mamurrasit, ndërsa viktima ishte vajzë e vetme në familje dhe studionte në Universitetin e Tiranës.