Ka përfunduar takimi mes ministres Belinda Balluku dhe 60 kontrollorëve ajrorë në aerportin e Rinasit, pa një marrëveshje.
Gazetarja e Fax News Mirilda Tili bën me dije se takimi ka zgjatur shumë pak, dhe kontrollorët nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me ministren, pasi nuk u janë pranuar kërkesat e tyre.
Një nga kontrollorët e cila është pushuar nga puna, thotë se Balluku ka mbajtur të njëjtin qëndrim që ka pasur edhe qeveria në 8 vitet e fundit.
‘’E ka personale. Pezullimi i punës do të vijojë”, tha kontrollorja.
Kontrollorët shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, në krye të të cilave qëndrojnë rikthimi në punë i 2 personave të pushuar, si dhe kthimi i nivelit të pagave.
Kërkesat e kontrollorëve:
Rikthim i kolegëve në punë
Shfuqizim i vendimeve të bordit
Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive
Transparencë financiare e plotë për vitin 2020
Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi
Kontrollorët shprehen se kjo e tyrja nuk është grevë, por një pezullim i përkohshëm i aftësisë për punë, si pasojë e stresit, një klauzolë e njohur kjo në kontratën e tyre.
Derimë tani janë të paktën dy fluturime që kanë pasur pasoja për shkak të situatës së krijuar në Rinas, një avion që vinte nga Stambolli është vonuar me 40 minuta për të mbërritur një destinacion, ndërsa tjetri është kthyer sërish në Greqi, për shkak se nuk mund të ulej në pistë.
Nëse kjo formë proteste e kontrollorëve do të vazhdojë, kjo mund të sillte dëme me miliona për shtetin shqiptar, që do të jetë i detytuar që të paguajë kostot e fluturimit për çdo avion që kalon mbi hapësirën shqiptare.
(E.K/Faxweb.al)