Pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës për të lënë në burg të arrestuarit e fajdeve pak ditë më parë, një prej avokatve mbrojtës, Anton Kosteri ka bërë një deklaratë për opinionin publik ku është shprehur se arrestimi është i paligjshëm dhe se nuk ka asnjë prove që dokumenton fajden ose kërcënimin ndaj ish-prefektit Radovani. Në fjalën e tij Kosteri është shprehur:
“Procesi u zhvillua me dyer te mbylluara sepse shumë nga aktet proceduriale konsiderohen si sekret hetimor dhe ne kemi marrë përsipër përgjegjësinë tonë ligjore edhe si avokat për të mos i bërë me dije ato akte proceduriale që janë vendosur në atë gjykim, për të mos i bërë me dije për opinionin e gjerë.
Në lidhje me vendimin si caktimi i masës së sigurisë në mungesë po ashtu edhe vijimi i kësaj mase, për mendimin tonë janë jashtëzakonisht në shkelje flagrante me ligjin, jo në përshtatshmëri me rrezikshmërinë e këtyre personave, sepse asnjë prej këtyre personave nuk mund të cilësohet kriminel, dhe për mendimin tim nuk janë masat e duhura të vendosura nga Gjykata, madje jam i mendimit që për shumë nga ata persona që janë arrestuar nuk duhej të caktohej asnjë masë sigurie.
Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër, që nga viti 2014 dhe sot ka caktuar masa sigurie në mungesë, ka bërë arrestime dhe këta persona më pas kanë marrë pafajësinë në Gjykatën e Shkallës së Parë po ashtu edhe në të Apelit. Theksoj se edhe në 2014 është bërë arrestimi i ish-Drejtorit të ALUIZN-it edhe zv. drejtorit të cilët kanë marrë pavarësinë si në Gjykatën e Shkallës së Parë edhe atë të Apelit. Në 2016 janë arrestuar punonjës të hipotekës, Në 2017-n janë arrestuar profesor dhe në 2018 mjekë. Të gjitha këto operacione të Prokurorisë kanë marrë pafajësinë nga Gjykata. Dua të shpreh publikisht se arrestime të tilla mediatike për të bërë show, kthehen në flluska sapuni dhe nuk po arrihet dot të vërtetohet fajësia e këtyre personave.”