Qeveria ka vendosur që ti japë një ndihmë finacniare Ina Nukës, punonjëses së policisë e cila u lëndua gjatë protestës së banorëve të Astirit, ku pas shpërthimit të një kapsollë në dorë ajo dëmtoi rëndë gishtat.
Punonjësja Ina Nuka do të marrë nga shteti 12 paga mujore, rreth 8 milionë lekë të vjetra, të cilat do të përballohen nga fondi rezervë i shtetit.
Vendimi vjen pak pas kthimit të saj nga Turqia, aty ku dhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale, për të rikuperuar gishtat.
V E N D I M I PLOTË:
PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE ZNJ. INA GAVROSH NUKA, INSPEKTOR, PUNONJËS POLICIE I PLAGOSUR NË KRYE TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e ndihmës financiare, në masën e 12 (dymbëdhjetë) pagave mujore, znj. Ina Gavrosh Nuka, inspektor, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme, motorist, në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e plagosur në krye të detyrës për vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike.
Efekti financiar, në vlerën 792 000 (shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
(M.Q/Faxweb.al)