Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije përmes një postimi në facebook zbarkimin e një avioni tjetër me shtetas afganë në Rinas. Rama thekson se numri i shtetasve afganë të cilët i janë shpërngulur luftës dhe mikpriten në Shqipëri shkon në 457.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama: Arrin në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës e të respektit për kujtesën, traditën, vetveten, për të cilën sot flitet me admirim në gjithë opinionin ndërkombëtar
Kujtojmë se në Shqipëri mbërritën sot edhe dy avionë të tjerë me 182 shtetas afganë të larguar nga Kabuli, mes të cilëve edhe nëna me fëmijë të mitur.
Njëri nga avionët solli 154 udhëtarë afganë, ndërsa tjetri solli një grup më të vogël me 28 persona.
Ata u strehuan në Qytetin Studenti në kryeqytet dhe hotelet e Durrësit.
Deri tani brenda 3 ditëve kanë mbërritur në Aeroportin Nënë Tereza 5 avionë nga Afgansitani, duke strehuar në Shqipëri 457 qytetarë afganë të shpërngulur nga rreziqet e shtuara prej talebanëve në Kabul.