Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi zhvilluan sot një takim me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në rolin e lexuesve të matësve të energjisë, për të diskutuar mbi masat e marra dhe detyrat që dalin nga skema e re e faturimit të energjisë elektrike.
“Tashmë kemi kaluar nga faturimi me fasha në faturim mbi bazë konsumi dhe kërkohet përpikmëri sa i përket matjes. Duhet të jetë matje 30-ditore. Nuk duhet të ketë vonesa, pasi do të dëmtohej abonenti, duke kaluar masën 700 kilovat-orë dhe nuk do të mund të përfitonte çmimin e ulur të energjisë”, deklaroi zv/kryeministrja.
Ajo informoi se ndër masat e marra nga ana e OSHEE-së është shtimi i numrit të lexuesve deri në vendosjen në të gjithë vendin të matësve inteligjentë.
”Kemi një trupë të konsiderueshme prej 870 punonjësish. Kësaj trupe do t’i shtohen edhe 120 punonjës të rinj, pasi nga 1 shkurti OSHEE do të aplikojë një çmim të ri, 10,5% më të ulët për më shumë se 1 milion abonentë familjarë, që përbëjnë 95% të numrit total të abonentëve”, deklaroi zv/kryeministrja Balluku.