Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi se brenda qershorit do të bëhet e mundur funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në “Tempora” me Sonila Meço, Manja u shpreh se tanimë “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar të gjitha aktet nënligjore sa i përket rregullores së funksionimit të emërimeve në drejtësi, ndërkohë që pritet të plotësohet me numrin e nevojshëm të anëtarëve brenda qershorit.”
Pjesë nga biseda në studio:
Meço: Pavarësisht asaj që ju thoni… Si mund të mbahet një sistem që nuk ofron garanci kushtetuese? Vendi vepron pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese. Sa të besueshëm mund të jeni?
Manja: Është e lehtë ta bësh kritikën sot e Reformës në Drejtësi, aq më tepër kur fut hundët edhe politika që nuk merret me detyrat, por targeton Reformën në Drejtësi dhe sistemin e Drejtësisë, pastaj është e vështirë të sqarohen gjërat për opinionin publik. Kur thash që një reformë kaq e madhe do të kishte edhe probleme, vështirësi që ishin qoftë të karakterit politik, por edhe teknik. Jemi pa Gjykatë Kushtetuese, në kuptimin e mosfunksionimit të mbledhjes plenare. Gjykata Kushtetuese, ne besojmë dhe shpresojmë që brenda qershorit, do të funksionojë. Sot që flasim Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar të gjitha aktet nënligjore sa i përket rregullores së funksionimit të emërimeve në drejtësi. Unë duke njohur procesin dhe mekanizmin ligjor jam besimplot që Gjykata do të plotësohet me numrin e nevojshëm të anëtarëve brenda qershorit.