Ka pasur një debat të fortë në Kuvend mes Gramoz Ruçit, dhe deputetit të opozitës së re Halit Valteri, i cili sulmoi familjen e presidentit Meta, dhe konkretisht vajzën e tij të vogël, Era.
Valteri u shpreh se sfida e presidentit për 3 palë zgjedhje në muajin Tetor bëhet për intersat e tij personale, dhe për ato të LSI-së.
“Nuk çuditem me Presidentin, që kthen ligje, pasi nuk është fort mirë këto kohët e fundit. Konferenca e fundit e Presidentit ishte shfaqje e shëmtuar.
Ishte shumë i mërzitur dhe armatosur me mllef, sulmoi cilindo që i dilte përpara me mendjen e trazuar nga ëndrrat, se është keq të bësh burg në këtë moshë, është problem i madh. Presidenti harroi edhe rolin që kishte, përfaqësuesi i unitetit kombëtar dhe jo i LSI-së.
Ai shpalosi problemet që ka te partia në Bllok, nuk e di se cfarë vendi të botës, tek kjo që aspirojmë ne dhe jo ajo që aspiron Ilir, shqiptarëve u serviret gruaja e Presidentit si drejtuese partie dhe vajza e vogël, zonjë e parë e shtetit, që akoma nuk ka hequr bebelinën”, u shpreh Valteri në Kuvend.
Kjo deklaratë e tij, veçanërisht për vajzën e vogël të presidentit, duket se nuk u kalua lehtë nga Gramoz Ruçi, i cili i kërkoi deputetit që të tërhiqte fjalët pas.
“Zoti Valteri është e padrejtë dhe kundër etikës ta ofendosh Presidentin dhe familjen e fëmijët e tij, prandaj kërkoj ti tërheqësh ato që the për atë”, i kërkoi Ruçi.