Fati i kujtdo që aktualisht po gjykohet, apo është nën hetim për krim të organizuar dhe për korrupsion nga Krimet e Rënda do varet nga SPAK dhe nga GJKKO.
Gjithsej llogaritet të jenë mbi 200 persona, për të cilët si kuptohet nuk po vijnë ditë të mira. Duke shmangur emrat konkretë të atyre që do hetohen nga SPAK e gjykohen nga GJKKO, kryegjyqtari Sandër Simoni shpjegon për Top Channel:
“Ne e kemi të qartë numrin e dosjeve që do mbajmë në shqyrtim, kryesisht janë 20 çështje me mbi 212 të pandehur, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatave kriminale, gjithashtu edhe 10 çështje për çështje korrupsioni që ngelen në shqyrtim në këtë gjykatë, gjithashtu janë 24 procedime për grupe te strukturuara kriminale të cilat janë nën hetim dhe që i ndjekim dhe ne hetimet; ky është numri i dosjeve penale që do mbahen nga gjykata e re”.
Por derisa SPAK të ngrihet do të duhen dhe pak javë dhe këshilli i gjykatës ekzistuese që do zëvendësohet me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar me kërkesë KLGJ për të shtuar stafin teknik, të cilët gjithashtu do t’i nënshtrohen vettingut.
“Do krijohet një komision verifikimi për figurën e punonjësve të tjerë të administratës gjyqësore, i cili do bëjë pothuajse atë vettingun për administratën gjyqësore dhe në përfundim konfirmimin në detyrë të administratës gjyqësore”, deklaroi Simoni.
Sakaq dy muaj nga vendimi i Këshillit të Ministrave për kushtet e sigurisë në godinën ku do vendoset Spak, Byroja Kombëtare dhe GJKKO, jo vetëm janë disenjuar tabelat por ka përfunduar blindimi i i gjithë perimetrit të godinës me kamera sigurie dhe jo vetëm.
“Për përgatitjen e kushteve infrastrukturore dhe sigurisë për fillimin e punës në institucionet e reja të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar , sic është Gjykata e Posaçme dhe ajo e apelit dhe SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ne kemi bërë një investim duke ridimensionuar elementët e sigurisë në të gjithë godinën ku do jenë këto institucione, pasi deri në këto momente ne kemi qe në institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen dhe administrimin e godinës së Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ne përshtatëm sistemin e ri të sigurisë, me të gjithë elementët e reja duke ridimensionuar sistemin e kamerave të vëzhgimit, sistemin e identifikimit të hyrjeve të paautorizuara, atë të sinjalistikës akustike dhe komplet aksesin e hyrjedaljeve në institucion”,tha Sandër Simoni./tch/