Nuk është hera e parë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kopjon kryeministrin Edi Ramën, udhëheqësin e tij. Në çdo dalje të tijën, kryebashkiaku shpreh vlerësimin për kreun e Qeverisë, të cilin e ka si shembull në punën që bën. Por jo vetëm në punën e tij.
Mëngjesin e sotëm, ashtu si prej disa mëngjeseve radhazi, kryeministri Rama u uron shqiptarëve “Mirëmëngjesi” përmes “kartolinave” nga vende të ndryshme në Shqipëri apo foto përqasëse ku nxjerr në pah reformat e qeverisë.
Këtë mëngjes, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përshëndetur qytetarët, por jo vetëm kaq. Ai ka zgjedhur foton e Ramës për të shprehur përshëndetjen e tij, duke nxjerr në pah punën e Bashkisë së Tiranës në tregun e fruta-perimeve në Njësinë nr. 2 të kryeqytetit.
Edhe herë të tjera, kryetari i Bashkisë është përfolur për kopjim të kryeministrit. Ai është komentuar si kopjac rreth një vit më parë, ku në një aktivitet u shfaq duke luajtur basketboll si kryeministri; kur ndau çelësat e banesave si Rama lejet e legalizimit, apo kur gjatë një aktivitetu u fotografua duke i puthur dorën një punonjëse, sikundër kishte bërë më 14 mars kreu i Qeverisë, i cili i puthi dorën një plake.
(XH.A/SHUPLAKA)