Në një takim me pensionistë të Njësisë 1, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se reforma për sigurimet shoqërore do të sigurojë pensione më të mira në të ardhmen. I shoqëruar nga drejtuesja Politike e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu dhe deputeti i PS, Eduart Shalsi, ai theksoi se mospagimi i kontributeve shoqërore dëmton këdo që meriton një pension dinjitoz.
“Duke mos paguar sigurimet shoqërore ke dëmtuar babanë tënd kur të dalë në pension. Sepse me sigurimet shoqërore që paguhen sot, paguhen pensionet, pavarësisht se kontributet e secilit ruhen për në të ardhmen. Të mos paguash sigurimet shoqërore sot është njësoj sikur të dhunosh xhepin e nënës, babait, gjyshit, gjyshes, sepse e ke privuar nga një e mirë që i takon atij brezi që ka punuar tërë jetën”, tha ai.