Prej dy ditësh Neki Bajraktari është kthyer në personazh në rrjetet sociale, jo me dëshirë, por për shkak të dhunës shtetërore që u ushtrua mbi trupin e tij.
Kishte dalë si çdo ditë nga banesa në kërkim të disa parave për të mbajtur frymën e tij dhe të familjes gjallë, po u përball me shtetin, atë që prej kohësh nuk arrin të kapë asnjë peshk të madh, ama me njerëzit si Nekiu di ti tregojë mirë muskujt.
Akuza e vetme që rëndonte mbi të ishte fakti se shiste paketa cigare, pa paguar ‘’haraçin” te shtetit, edhe pse askush nuk e di se ai ka dy vajza të mitura për të rritur dhe është i vetmi i punësuar në familjen e tij. Pamjet e dhunës së ushtruar ndaj tij janë aq të qarta, saqë askush nuk mund të pretendojë të kundërtën.
Prej kohësh Policia Bashkiake e Tiranës ka nisur aksionin ndaj shitësve ambulantë, dhe si Nekiu mund të ketë në ditë dhjetra familjarë të cilët dhunohen, në mos fizikisht, dhunohen në aspektin moral dhe mendor.
”Gojët e liga” thonë se i gjithë ky aksion bëhet për të favorizuar kioskat që kanë mbirë si kërpudha pas shiut në Tiranë, ndërsa nuk dihen pronarët, e lidhjet që kanë me pushtetin.
Padyshim pyetja që ngrihet është ‘’a është ky shtetit që duam”? Një shtet që nuk mund të vendosë drejtësi për korrupsionin në nivelet më të larta, ama qytetarët e thjeshtë i dhunon çdo ditë.
(E.K/FAXWEB.AL)