Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së ka mbëritur me urgjencë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndërsa u përhap lajmi se dhjetëra forca policie kishin rrethuar Teatrin Kombëtar për të nisur më pas shembjen.
Fax News ka fiksuar momentin kur Kryemadhi ka zbritur nga mjeti i saj dhe ka vrapuar për të hyrë në ambientet e TK-së ku dhe është neutralizuar nga disa efektivë, mes tyre dhe femra.
Për disa momente ajo ka rezistuar ndërsa efektivët janë përpjekur ta shoqërojnë jashtë ambienteve të kompleksit teatror i cili në orët e para të ditës së sotshme është pothuajse i rrafshuar.
Kryetarja e LSI-së u shoqërua nga efektivët dhe më pas u la lirë.
Në një prononcim për mediat ajo u kërkoi njerëzve të mos e njohin më shtetin e Edi Ramës, ndërsa nuk ngurroi të sulmonte dhe ndërkombëtarët:
Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre.
A kishit ju një garanci për mosprishjen e teatrit?
Kryemadhi: Garancia është reforma në drejtësi që janë harxhuar mbi 100 milionë euro. Dhe sot ka me qindra shqiptarë janë dhe dergjen në procese penale, hetime për shkak të mospagesës së energjisë elektrike. Dhe sot e kësaj dite drejtësia shqiptare akoma nuk ka marrë asnjë informacion përsa i përket falsifikimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak që ka bërë kryetari i Këshillit Bashkiak. Akoma nuk ka thirrur dhe nuk ka verifikuar se kush kanë qenë ata që kanë bërë inspektimin e godinës. Prandaj dua të them që nuk më ngelet gjë tjetër vetëm të lutëm për paqen e shpirtit të Edi Ramës se kam përshtypjen që ato themelet e kullave që mendon që do të ngrihen aty do të jenë varri i tij aty do të gjejë dhe fundin e tij. I bëj thirrje edhe drejtësisë që vazhdon dhe flen gjumë dhe që gënjën. Të fillojë të na hetojë ne, që kundërshtuam policinë, të fillojë të na arrestojë ne që mbrojtëm shqiptarinë sepse mesa duket drejtësia shqiptare vazhdon haj dhe pi në ditëlindjet e deputetëv të Partisë Socialiste.
Zonja Kryemadhi a i patë artistët që i shoqëruan?
Kryemadhi: Po isha bashkë me ta. Besoj se një pjesë të tyre i kanë shpërndarë nëpër komisariate sipas vendbanimeve. Bashkë në dhomën e qëndrimit me mua ishte dhe një vajzë, përfitoj nga rasti t’i njoftoj dhe familjarët e saj që është mirë, një vajzë me kacurrela bjonde, e Lëvizjes Vetëvendosje nga Skrapari ishte.
Nuk e di se çfarë ka bërë bashkia, di të them që bashkia dhe kryetari i bashkisë ka bërë një gabim shumë të madh. Kaq di të them.
Pyetje: A i bëni thirrje popullit që ta braktisë gjendjen e fatkeqësisë natyrore?
Kryemadhi: Po sigurisht që duhet braktisur të mos rrinë më se do t’i mbysi. Një njeri që thotë deri në 17.30 rri virusi rrugëve. Shqiptarëve iu është ngritur mendja leje, orar ndalimi, të ndaloi policia, rregulli, urdhër.
Pyetje: Cfarë aksioni do të ndërmarrë opozita pas kësaj?
Kryemadhi: E para një herë sot nuk është momenti për të folur për aksionin. E rëndësishme për mua sot është për të vazhduar atë që kemi nisur. Shpresoj që vërejtja jonë nuk do të jetë ndaj këtyre djemve dhe vajzave që janë përballë nesh. Ne duhet të kemi vetëm një qëllim. Qëllimi ynë është që t’i kthejmë Shqipërisë normalitetin. Qëllimi ynë është që të largojmë farsë të keqe. Qëllimi ynë është që Shqipëria të mos jetë peng i klaneve të drogës dhe grupeve anti-shqiptare. Qëllimi ynë është që me fatet e shqiptarëve të mos bëjnë llogaritë elektorale dhe llogaritë financiare të tyre.
Shkatërruesi kryesor është Veliaj dhe fadromistët e shkretë që kanë goditur. Në dijeninë time, më thonë që drejtori i Teatrit ka firmosur një procesverbal që aty brenda s’ka asgjë. Nëse e ka bërë këtë gjë, nuk ka kazino Hervin Culi që të shpëtojë dhe nuk ka audit të të shpëtojë për këtë gjë, nëse ti e ke firmosur. Sepse nëse të kërcënon Edi Rama me auditin e teatrit do ta paguash gjithë jetën tënde jo vetëm me auditin, por gjithë jetën tënde atë që ka bërë sot, atë që iu ka bërë kolegëve të tij. E njoh Hervin Culin e kam mik, por më vjen shumë keq që ka rënë kaq poshtë që të firmosë një gjë të tillë. Turp për të dhe turp për ata që e kanë lejuar të bëjnë këtë gjë.
Aksioni për shembjen e Teatrit Kombëtar nisi sot në orët e para të mëngjesit, ndërsa dhjetëra e qindra forca policie mësynë kompleksin teatror duke nxjerrë me dhunë aktivistë e artistë nga godina e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.
Fadromat nisën shembjen ndërsa artistët dhe aktivistët të cilët qëndrojnë prej 2 vitesh në mbrojtje të këtij kompleksi I bënë thirrje presidentit Meta të shpërndajë parlamentin si dhe lëshuan akuza të forta dhe ndaj përfaqësive diplomatike në vend.