Qindra gazetarë dhe qytetarë janë mbledhur sot pëpara godinës së Kuvendit, ku po protestojnë mbi paketën Antishpifje, të propozuar nga qeveria e Edi Ramës, dhe që pritet të kalojë në votim në seancën e sotme.
Me pankarta në duar, dhe me shalle të zinj në gojën e tyre, gazetarët shprehen se ky projejktligj i qeverisë cënon lirinë e medias dhe atë të shprehjes, dhe synon që të instalojë diktaturën në vend.
Në një komunikim me gazetaren Edona Haklaj, Enton Abilekaj u shpreh se mediat do të gjejnë çdo mënyrë për të transmetuar shqetësimet e qytetarëve, pavarësisht çdo presioni të bërë nga ana e qeverisë.
“Nëse ky ligj kalon sot, atëherë nuk është gjë tjetër veçse shpallja e Edi Ramës diktator. Mua më vjen mirë që ka studentë dhe gazetarë të rinj në këtë protestë, kjo tregon se media dhe Shqipëria ka ende shpresë”, u shpreh Abilekaj.
Për Astrit Patozin dita e sotme nuk duhet të merret si tragjedi, dhe se ligji që do të kalojë në Kuvend, nuk do të ketë asnjë pasojë për shoqërinë.
“Nuk është aq dramatike, nuk po ndodh fundi i botës, është një gjë e padobishme, po përpiqet që të ketë një kontroll nga ana e qeverisë, unë mendoj se ligji nuk do të ketë efekte. Vetë shoqëria do ta shpërfill këtë ligj. Ne kemi përballë një qeveri që do të kontrollojë gjithçka, sot është vendi që të shikojmë se një situatë emergjence po kalon një ligj i tillë. Ne sot mund të ishim duke miratuar Reformën Zgjedhore, por në fakt merremi me një ligj që nuk ka asnjë pasojë për shoqërinë”, u shpreh Patozi.
”Unë do ftoja median që të niste një betejë për një Republikë normale, të kemi një kryeministër me thonj të prerë, siç e ka e gjithë bota demokratike“, tha më tej Patozi.
(E.K/Faxweb.al)