Katër ditë pas betimit të Ilir Metës president, vijojnë ende urimet nga disa prej politikanëve më të njohur jo vetëm nga Shqipëria por nga e gjithë bota.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk si edhe Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean-Claude Juncker urojnë sot Metën me rastin e marrjes së detyrës Presidenti i Republikës.
Në një telegram të përbashkët urimi shkruhet se sfidat me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.
“Shkëlqesi, ju lutemi pranoni urimet tona të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Sfidat politike me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.
Shpresojmë se ju do të ndihmoni për ta çuar vendin përtej përçarjeve politike dhe se Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë pesë Përparësitë Kryesore, në mënyrë që të plotësohen kushtet për hapjen e negociatave”, thuhet në mesazhin e urimit të Tusk dhe Juncker.
Më tej, presidentët e Këshillit dhe Komisionit Europian shprehin të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me Shqipërinë.
“Në mars, Këshilli Evropian, përsëriti mbështetjen e tij pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mes çështjesh të tjera, rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në këtë kontekst, dëshirojmë t’ju sigurojmë rreth përkushtimit tonë për vazhdimin e mbështetjes së vendit tuaj ndaj kryerjes së reformave dhe projekteve të orientuara drejt Bashkimit Evropian! Shpresojmë dhe presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, në mënyrë që Shqipëria të mundësohet për të përparuar në rrugëtimin e saj evropian!”, mbyllet mesazhi drejtuar Presidentit Meta.
(D.D/Shuplaka)