I ftuar në “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili, kryetari i Kuvendit dhe LSI-së Ilir Meta ka komentuar edhe pjesëmarrjen e tij në inaugurimin e Donald Trump si presidenti i 45-të i SHBA-ve.
I pyetur lidhur me lajmin e publikuar nga “Birn”, sipas të cilit është paguar që Meta të jetë në ceremoni, kreu i Kuvendit është përgjigjur shkurt dhe prerë.
“Nuk dëshiroj të merrem me mediat e Sorosit ose pranë Sorosit. Për këtë nuk jam duke investiguar, por Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë një forcë mjaft transparente, e cila respekton ligjet shqiptare, në radhë të parë, ato amerikane dhe evropiane. Padyshim kushdo është i lejuar që të thellojë më tej investigimet në këtë drejtim”, tha Meta.
Sipas rrjetit investigativ Birn, Lëvizja Socialiste për Integrim ka punësuar kompaninë e lobimit McKeon Group, duke pasur si synim një ftesë për liderin e saj, Ilir Meta në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.
“Marrëveshja e nënshkruar mes LSI dhe McKeon Group, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, tregon se Meta dhe LSI do t’i paguajnë 15 mijë USD në muaj kompanisë amerikane për një periudhë 6 mujore”, pretendon Birn. (A.R/SHUPLAKA)