Nga Enton Abilekaj
Xhafaj, viktimë e përplasjes së bandave brenda Rilindjes
Dorëheqja e Fatmir Xhafës do të kishte vlerë nëse do të ndodhte në maj, kur akuzat për vëllain e detyruan ta dorëzonte në Itali. Atëherë, do të ishte një akt moral, një precedent përgjegjësie politike. Mund të kishte vlerë edhe kur çështja e vëllait të tij, i rithirrur në skenë nga Rama me Babalen dhe Alizotin, për t’u kthyer me turp në boomerang, që tregoi qartësisht implikimin e prokurorisë, qeverisë dhe me gjasë, atij vet. Mund të kishte vlerë kur Arben Isaraj dha dorëheqjen, menjëherë sa filloi një proces ndaj vëllait të tij, megjithëse detyra që mbante nuk e lidhte me hetimin.
Megjithëse e pavlerë, dorëheqja e Xhafës prodhoi zhurmë. Meqë nuk u gjet morali, u kërkuan arsyet. Disa i kërkuan tek Gjushi, tek dosja e Shijakut, megjithëse Kryeministri u mundua t’i orientojë tek një aferë private. Edhe kur ai vetë shpjegoi më në fund se iku për arsye parimore, versionet e tjera nuk u zhytën në errësirë. Mes varianteve që kundërshtojnë njëri- tjetrin, ka megjithatë një gjë të përbashkët: ikja e Xhafës ishte pasojë e luftës së brendshme brenda Partise Socialiste. Tepsia e Rilindjes e gjitha për vete, shkaktoi më shumë pasoja se tepsia e ndarë me LSI. Alibia e aleatit që merr pushtetin dhe abuzon ra, për t‘i hapur rrugë përplasjes brenda organizatës.
Nuk është hera e parë që nën siglën e PS, lufta për pushtet sjell përplasje të mëdha, me pasoja për figurat kryesore. Në 1996, Nano shkarkoi nga burgu gjithë drejtuesit e PS, me mocionin që fitoi Kongresin, ne 1999 Nano i dorëhequr rifitoi partinë duke larguar Majkon dhe duke mbajtur Ilir Metën për ta rihapur betejën me këtë, në 2001. Një betejë që nuk kurseu askënd. Katarsisi i Nanos, nisi si ortek shkërrmoqës dhe u baltos sapo ia mori pushtetin Metës. Akuzat e atëhershme, nëpër mbledhje të hapura për mediat, përdoren akoma sot. “Muci, Naci, Baci” ishin trinia e korrupsionit, ndërsa mbështetësit e tjerë të Metës, ishin përfitues emërimesh.
Lufta e brendshme është rikthyer edhe një herë, por nuk ngjan fare me të shkuarën. Jo për debatet e hapura, as për klimën liberale deri në kaotike. Diferencën e bëjnë akuzat.
Nuk flitet më për korrupsion, as për favore emërimesh, bëhet fjalë për trafik droge dhe armësh, për lidhje me bandat më të rrezikshme që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë, për vëlla dhe kushërinj të arrestuar dhe të dënuar për trafiqe, për përdorimin e kriminelëve në zgjedhje, për blerje votash dhe deformim të rezultatit.
Lufta brenda Rilindjes nuk ngjan fare me luftën e dikurshme brenda PS. Ajo ngjan me një përplasje bandash kriminale. Faktet nuk dalin nga dyert e PS, por nga dyert e Prokurorisë. Prokuroria është bërë Kisha e Rilindjes, që i mban në fshehtësi rrëfimet kriminale, në vend që t’i hetojë. Dosjet që prekin njerëzit e Ramës janë fshehur nëpër bodrume. Ata që duhet ta luftojnë krimin, janë tashmë ata që po e fshehin nëpër fashikuj të arkivuar që mund të harrohen, të vidhen (si në Durrës kur prokuroria drejtohej nga Donika Prela), apo të shkatërrohen në letërprerëse si të pavlerë pas disa vitesh.
Zgjedhja e Aleksandër Lleshit e konfirmon këtë. Ish kandidati për President, i propozuar nga Ismail Kadare si njeri mbi palët, të shtunën u propozua nga Rama si njeri mbi bandat, i papërfshirë në luftën e brendshme. Lleshi mund të shërbejë për një paqe të përkohshme, por nuk mund të pastrojë korridoret e Rilindjes, ku po zhvillohet tashmë prej disa vitesh, beteja e bandave për kontroll. Habilajt, Bajrat, Rrajat, Avdylët dhe grupe të tjera të skeduara në Perëndim po luftojnë brenda Partisë Socialiste, nëpërmjet përfaqësuesve politikë.
Ndërsa Edi Rama shkruan pjesën e dytë, të tretë e me radhë të Kurbanit, shton kurbanët për secilën palë, i ushqen herë njërën, herë tjetrën që të shpëtojë veten. Deri kur të mos ketë më Kurbanë dhe Saga e Rilindasve te arrijë fundin.