Edhe pse është arritur një marrëveshje paraprake për Reformën Zgjedhore, lëvizjet e diplomatëve në vendin tonë vijojnë që të jenë të shpeshta. Mëngjesin e sotëm ka qenë ambasadorja amerikane Yuri Kim ajo që ka mbërritur në zyrën e ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ku kanë pasur një takim kokë më kokë.
Ky takim zhvillohet në selinë e delegacionit të BE-së për arsye se dita e sotme është e rëndësishme për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut drejt integrimit, pasi në Bruksel Komisioni Europian do të prezantojë kornizën e punës për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut.
Reforma Zgjedhore ka qenë një nga kushtet përsa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë, që duket se është plotësuar pjesërisht, edhe pse ende nuk është votuar në Kuvend.
Një pjesë e opozitës parlamentare e kryesuar ngë Myslim Murrizi ka shprehur votën kundër kësaj reforme, me pretendimin se më parë duhet të miratohen kërkesat për lista të hapura dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të cilin forcat e mëdha politike nuk kanë pasur ndonjë zell për ta bërë. (E.K/Faxweb.al)