Eduard Zaloshnja ka publikuar një sondazh ditën e djeshme përmes të cilit tregohet se qytetarët vijojnë të mbështesin koalicionin qeverisës. Sipas këtij sondazhit Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste nëse shkojnë bashkë në zgjedhje do të jenë fituese.
Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do zhvilloheshin sot, për koalicionin qeverisës do votonin 57% e qytetarëve. Ky rezultat dëshmon qartë se më 18 qershor PS-LSI dalin fituese nëse shkojnë bashkë, pasi PDIU del me humbje. Teksa ditët e fundit kanë nisur aludimet dhe përplasjet sa i takon aleancave, sondazhi dëshmon qartë se koalicioni i majtë është i pathyeshëm.
Sipas tij, opozita aktuale mund të marrë 39 për qind të votave, ndërsa 4% e qytetarëve kanë qenë kundër dy koalicioneve. Sipas sondazhit, Partia Socialiste është ajo e cila gëzon popullaritetin më të madh. Sipas saj PS merr 41 për qind të votave, PD merr 35 për qind të votave, LSI merr 12 për qind të votave, PDIU dhe LIBRA marrin nga 4% të votave.
Po kështu Zaloshnja ka bërë dhe një përkthim në vota të rezultatit të sondazhit. Sipas tij, mazhoranca ka humbje krahasuar me 2013. Në këtë vit, ajo mori 1.020.000 vota, por në 2017 kjo shifër sipas sondazhit shkon në 930 mijë, pra 90 mijë vota më pak, sa i takon ndarjes së votave brenda koalicionit situata është kjo: PS 670 mijë vota, 45 mijë vota më pak; LSI 190 mijë vota, 10 mijë më pak se në 2013; ndërsa PDIU merr 70 mijë vota, 55 mijë më pak se në 2013. Interesant është fakti se koalicioni PS-LSI del fitues edhe pa PDIU. Ndërsa shifrat tregojnë se pavarësisht tentativave për t’u rritur, çamët janë humbësit më të mëdhenj. Nga ana tjetër shihet se LSI ka qëndrueshmëri, pasi ka rënie vetëm me 10 mijë vota. Nga ana tjetër, PD vijon të ketë rënie. Sipas sondazhit, ajo merr 570 mijë vota, ose 40 mijë më pak se në 2013. Ditët e fundit ka pasur deklarata se palët duhet të dalin të ndara në zgjedhje. Nëse kjo ndodh atëherë pasqyra është e qartë, ku PS dhe LSI janë ato që avancojnë në krahun e majtë. Sondazhi u bë publik vetë nga Zaloshnja në emisionin “Top Story”, ku kishte dhe të ftuar. (J.V/Shuplaka)