Reshjet e dëborës kanë zbardhur pothuajse të gjithë fshatrat malorë në Qarkun e Elbasanit. Mëngjesin e kësaj të shtune, trashëshia më e madhe e dëborës është regjistruar në Njësinë Administrative Steblevë, në fshatin Qarrishtë, Rrajcë dhe në disa fshatra të tjerë malorë.
Dëbora ka mbuluar fshatrat në lartësinë mbi 900 metra mbi nivelin e detit dhe vazhdon të bjerë me intensitet të lartë. Ndërkohë që në zonën e ulët bien reshje shiu, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Raportohet se moti i keq ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike të disa lagjeve në fshatrat malorë. Ndëkohë që në disa fshatra ka patur edhe rrëshqitje të dheut. Në fshatin Pobrat të Elbasanit ka patur rrëshqitje dherash e gurësh të cilët kanë vështirësuar qarkullimin në një segment të kësaj rruge rurale.
Për shkak të reshjeve të vazhdueshme ndërhyrja për largimin e dherave dhe gurëve në këtë segment është e pamundur.
Bëhet e ditur se qarkullimi në këtë aks rrugor është i pamundur. Një situatë e tillë përbën rrezik për automjetet edhe për këmbësorët pasi nga lartësitë bien gurë dhe herë pas here ka rrëshqitje të tokës.