Detaje të reja kanë dalë në përfundim të takimit mes ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe Presidentit të vendit, Ilir Meta.
Në një prononcim për mediat, drejtori i Kabinetit të Presidentit, Arben Cici, është shprehur se takimi ka konfirmuar klimën miqësore në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Donald Lu me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend.
Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim.”-është shprehur Cici.
Takimi mes Lu dhe Metës u zhvillua pasi në media dolën pjesë nga një letër e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku Llalla shprehej se Lu i kishte kërkuar arrestimin e asokohe, kreut të Kuvendit, Ilir Meta, sot President i vendit.
(F.G/Faxweb.al)