Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka reaguar kundër rrënimit të manastirit të Shën Thanasit në Sarandë. Sipas Kokëdhimës, fajin për këtë e ka përgjegjshmëria e autoriteteve shtetërore.
“Është për të ardhur keq që Ministrja e Kulturës kandidon në Qarkun e Gjirokastrës dhe ka disa muaj që e ka shpërngulur ministrinë atje, por nuk gjen kohë të shohë një manastir të kthyer në rrënojë, sepse po merret me festivalet që tregojnë “rilindjen urbane” të Ramës.”, thuhet në njoftim.
NJOFTIMI I PLOTË
“Rrënimi dramatik i Manastirit të Shën Thanasit në fshatin Leshnicë të Sarandës, është shumë trishtues dhe dëshmi e papërgjegjshmërisë së autoriteteve shtetërore.
Është e vërtetë se monumenti kulturor 400-vjeçar është dëmtuar nga tërmeti i pesë muajve më parë, plus dëmeve që ka patur në vite. Por kjo nuk e largon përgjegjësinë e plotë të Ministrisë së Kulturës. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë që në shkurt, pas tërmetit me epiqendër Janinën, por që dëmtoi edhe objekte në Shqipëri, përfshirë edhe manastirin, i dërgoi kërkesë Ministrisë së Kulturës për të mundësuar riparimin e tij. Por edhe pse kanë kaluar 5 muaj, ende nuk ka asnjë përgjigje.
Është për të ardhur keq që Ministrja e Kulturës kandidon në Qarkun e Gjirokastrës dhe ka disa muaj që e ka shpërngulur ministrinë atje, por nuk gjen kohë të shohë një manastir të kthyer në rrënojë, sepse po merret me festivalet që tregojnë “rilindjen urbane” të Ramës.” (D.D/shuplaka)