Rreth dy vite nga rrëmbimi i Enver Stafukës, ka reaguar e motra e tij. Në një intervistë për një gazetë të përditshme, ajo shprehet se kanë dhënë informacion të bollshëm, megjithatë hetimi nuk është çuar deri në fund.
Fitnete Stafuka shprehet se është bërë gjithçka për të ndihmuar organet kompetente dhe për të identifikuar autorët, që familjarët e Stafukës i dinë tashmë kush janë, por jo Policia dhe Prokuroria.
E pyetur për autorët e dyshuar, ajo është shprehur se kanë qenë shokët e Enverit që e kanë prerë në besë. E motra ka përmendur Durim Bamin dhe Elvis Ballën.
“Sigurisht. Madje unë personalisht u kam kërkuar llogari personave që ishin shokët e tim vëllai. Njeri prej shokëve e mori në telefon për ta nxjerrë nga shtëpia në atë orar. Ndërsa shokët e tjerë të veshur si policisë e rrëmbyen në mes të qytetit dhe u larguan me shpejtësi sikur të mos kishte ndodhur gjë. Enverin e prenë në mes shokët e tij me qëllim që të mos dilnin krimet e tyre që kishin bërë si grup kriminal.
Janë 4-5 shokë të Enverit me në krye Durim Bamin.
Elvis Balla ishte personi që e telefonoi atë ditë të dilte nga shtëpia, duke i kërkuar të pinin një kafe në qendër të Fushë Krujës, pasi vëllai im Enveri e kishte shtëpinë jashtë qytetit. Pasi ka mbërritur në afërsi të qendrës, në vendin ku ndodhi rrëmbimi, Durimi dhe tre persona të tjerë erdhën e dhe e futën me forcë në makinë.”, është shprehur Fitnete Stafuka.
E pyetur se çfarë i ka thënë asaj Durim Bami, ajo ka rrëfyer dyshimet e tij se Stafukën mund ta ketë rrëmbyer Shullazi. (XH.A/SHUPLAKA)