Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të hetuar zjarrin që përfshiu pallatin 10 katësh te Ish-Parku në Tiranë, që shkrumboi totalisht 3 apartamente dhe një tjetër që u dogj pjesërisht. Sakaq banorët e kanë kaluar natën jashtë.
Administratori i pallatit dhe mjeku, pronari i apartamentit nga ku filloi zjarri, kanë deklaruar në polici se nuk kanë dijeni se pse është shkaktuar zjarri.
Zjarrfikëset luftuan ditën e djeshme prej më shumë se 3 orësh me flakët, ndërsa disa prej tyre mbetën të lënduar. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka nisur si pasojë e një shkëndije elektrike.
Zjarri ra pasditen e djeshme, fillimisht në pjesën e pasme të pallatit në katin e dytë dhe më pas flakët kanë përfshirë të gjithë katet deri në katin e fundit, i cili është djegur plotësisht. Flakët janë favorizuar edhe nga sistemi i veshjes dhe izolimit të pallatit.