Zyrtari i lartë i FMN-së, që ndodhet këto ditë për një vizitë në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për Monitor thotë se tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme…
Teksa ekonomia europiane e globale është në fazë rimëkëmbje, ky është momenti më i mirë edhe për qeverinë shqiptare, që të mos vetëkënaqet dhe të përshpejtojë reformat. I këtij mendimi është DMD Tao Zheng, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, i cili është për një vizitë në Tiranë këtë javë. Kjo është vizita e parë e një zyrtari kaq të lartë të FMN-së, që nga viti 2007.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, z. Zheng pohon se Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet, të cilat duhet të synojnë infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore.
“Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në uljen e varfërisë gjatë dy dekadave të fundit, edhe pse kriza ekonomike europiane ka qenë pengesë gjatë viteve të fundit. Gjatë këtij tranzicioni, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë parë përmirësime të konsiderueshme në standardin e tyre të jetesës si rezultat i reformave që hapën ekonominë.
Rritja ekonomike e qëndrueshme është hapi i parë për uljen e varfërisë. Por nuk është e vetmja. Rritja duhet gjithashtu të jetë më gjithëpërfshirëse. Ne të Fondit mbështesim fuqimisht masat për mbrojtjen e grupeve të prekshme, përmes investimeve në shërbimet sociale, shëndetësisë dhe ndihmës sociale të synuar për më të varfrit.
Janë të nevojshme investime më të mëdha në arsim dhe trajnimin e aftësive për të përmirësuar punësimin e të rinjve. Një sistem më i drejtë taksash, me më pak hapësira shmangieje dhe përjashtimesh, gjithashtu kontribuon në më shumë drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave. Një shembull i mirë është tatimi mbi pronën, i bazuar në vlerë, që qeveria po zhvillon me ndihmën tonë teknike”, ka thënë ai për Monitor.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me FMN-në dhe ka thënë se marrëdhënia me Shqipërinë ka qenë e fortë dhe e frytshme.
Zheng tha gjithashtu se duhet reformimi I gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike pasi sipas tij Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.
“Marrëdhënia ka qenë e fortë dhe e frytshme. Shqipëria u bë anëtare e plotë e FMN-së në tetor 1991. Që atëherë, ne kemi mbështetur Shqipërinë përmes këshillave për politikat dhe ngritjes së kapaciteteve gjatë gjithë procesit të saj të tranzicionit. Qindra zyrtarë shqiptarë kanë ndjekur kurse trajnimi të mbajtura nga FMN. Kemi dërguar këshilltarë në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in për të forcuar operacionet e tyre.
Aktualisht, dy këshilltarë të FMN-së janë në Bankën e Shqipërisë. Ekspertët tanë nga Instituti i Përbashkët i Vjenës dhe Qendra për Ekselencë në Financa në Lubjanë gjithashtu ofrojnë shpesh trajnime dhe asistencë teknike. Ne mbajmë një kontakt të ngushtë me autoritetet për çështjet ekonomike dhe kemi bërë të disponueshme financime për të mbështetur reformat, të cilat kanë arritur në gati 350 milionë euro në 2014-‘17. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet për reforma dhe do të jemi të lumtur të diskutojmë për ndihmë apo financim shtesë, nëse kërkohet nga qeveria shqiptare.
Reforma në drejtësi?
Ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik”, ka thënë ai.
Zyrtari i lartë i FMN-së i pyetur për rreziqet që i kanosen Shqipërisë tha se vendi ynë ka një sërë sfidash të komplikuara përpara që duhet ti kalojë.
Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet. Shqipëria ka qenë e suksesshme në rivendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik gjatë viteve të fundit, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme. Rritja po rimëkëmbet. Si mund të vazhdojë qeveria të mbështesë rritjen ekonomike?
Në aspektin më të gjerë, duke ofruar më mirë shërbimet publike – infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore – ndërkohë që ruan qëndrueshmërinë makroekonomike. Qeveria është fokusuar me të drejtë në forcimin e sistemit tatimor dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kjo do të thotë se ata përpiqen të mbledhin më shumë të ardhura dhe më pas t’i shpenzojnë ato në mënyrë më efikase.
Kjo është e rëndësishme, sepse borxhi publik është ende i lartë, pavarësisht se është ulur kohët e fundit dhe ende varet nga financimi afatshkurtër. Kjo e lë vendin të pambrojtur ndaj goditjeve financiare. Pra, përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të garantohen shpenzimet sociale.
Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë Partneritetet Publike-Private duhet të zbatohen me vendosmëri për të zbutur rreziqet ndaj financave publike. Javën e kaluar, kemi botuar një dokument se si të rritet investimi në infrastrukturë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne konkludojmë se një nxitje e infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste të ardhurat për frymë deri në 3-4 pikë përqindjeje në një periudhë afatgjatë.
Nga ana financiare, ne mendojmë se konsolidimi aktual në sektorin bankar është i mirëpritur, por autoritetet duhet të sigurojnë që praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura. Banka e Shqipërisë ka mbajtur në mënyrë të përshtatshme norma të ulëta interesi, por do të duhet të përshtasë politikën monetare nëse fillon rritja e inflacionit.
Në përfundim, tani është momenti për të përshpejtuar reformat. Pse? Për shkak se ekonomia globale po rritet, siç përmenda në fillim. Inflacioni dhe normat e interesit janë të ulëta në Europë. Tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen tuaj ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme. Ka rreziqe të jashtme, siç e përmenda më herët, dhe ky moment i mirë nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Brenda vendit, kemi parë sfidat që kanë ardhur nga kushtet e pafavorshme të motit, si thatësira më parë gjatë vitit dhe përmbytjet në fund të vitit të kaluar. Një ngadalësim i reformave gjithashtu mund të dëmtojë besimin dhe të dëmtojë perspektivat e rritjes. Prandaj, siç e përmenda në fillim, nuk ka vend për vetëkënaqësi.
(B.H/Faxweb)