Pas dështimit në kandidimin për të siguruar organizimin e Superkupës së Europës për vitin 2019, pasi fituese u shpall stadiumi “Besiktas Arena” i Stambollit, Federata Shqiptare e Futbollit ka depozituar këtë të enjte aplikimin e saj në UEFA për organizimin e të njëjtit event, këtë herë për vitin 2020.
Stadiumi ku mund të luhet kjo superfinale mes fituesit të Championsit dhe atij të Europa League, sigurisht do të jetë “Arena Kombëtare” e kryeqytetit. FSHF zyrtarizoi se grupi i punës për përfundimin e dosjes së plotë të dokumentacionit për këtë kandidaturë ka përfunduar praktikën e aplikimit dhe “Arena Kombëtare” është tashmë një nga impiantet kandidate.
Ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit europian vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare, si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në vend, e nxitur kjo edhe nga përfundimi i shpejtë i “Arenës Kombëtare”, punimet për të cilën vijojnë me intensitet shumë të lartë.
Organizimi në kryeqytet i Superkupës Europiane merr një rëndësi absolute, jo thjesht nga pikëpamja sportive, por mbi të gjitha edhe për imazhin e Shqipërisë, e sidomos Tiranës.
Pas dorëzimit të dosjes zyrtare në UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit falënderon të gjitha institucionet që bashkëpunuan me të për plotësimin e kritereve të kërkuara nga UEFA, përfshirë këtu: Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, “Tirana International Airport”, Agjencia Kombëtare e Turizmit, si dhe të gjithë partnerët e tjerë që u angazhuan me këtë proces për të kërkuar sërish për herë të dytë organizimin e një finale Superkupe në Tiranë, shkruan ‘’Tch”.
Shumë shpejt “Arena Kombëtare” do të jetë gati si një vepër e madhe sportive kombëtare, dhe një kandidaturë potenciale për të organizuar një finale të një eventi europian të futbollit në vendin tonë.