Ministria e Financave informon se ka nisur procedura e pagesës së këstit të shtatë për kategorinë e subjekteve parësore, me Urdhër nr. 130 të Ministrit të Financave. Mësohet se do të përfitojnë në total 1.573 ish-të përndjekur.
Procedura e pagesës së këstit të shtatë ka nisur në zbatim të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 419, datë 14.04.2011, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
Bëhet fjalë për gjashtë kategori subjektesh që do të përfitojnë, referuar “Shqiptarja.com”, të cilët renditen sipas kësaj radhe:
1)Ish të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës;
2) Ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
3) Ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;
4) Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
5) Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
6) Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Subjektet përfituese, nevojitet që të dërgojnë dorazi ose me postë në Ministrinë e Financave, dokumentet e parashikuara në aktet ligjore. (XH.A/SHUPLAKA)