Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga burgu Ergys Kolaverin, i cili ishte dënuar në vitin 2017 me 20 vite burg, pasi qëlloi me snajper Gazmir Dacin në burgun e Vaqarrit, për shkaqe gjakmarrjeje.
Ngjarja ka ndodhur në korrik të 2016, por nga atentati mbeti i plagosur gabimisht i dënuari nga Kosova Lili Dulaj, i cili fatmirësisht nuk pati dëme serioze për jetën.
Prokuroria kishte kërkuar 30 vite burg për Kolaverin, por Gjykata vendosi ta dënojë me 20 vite heqje lirie, ndërsa sot Gjykata e Apelit e ka lënë të lirë të riun, duke i ndryshuar masën e sigurisë në arrest shtëpie, pa pasur ende një arsyetim mbi këtë çështje.
Vetë Kolaveri nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën se kishte organizuar atentatin ndaj Dacit, ndërsa në një nga seancat e zhvilluara ndaj tij te ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, ai paraqiti si alibi dy kamera sigurie, të marra nga banesa e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu.
Në to shfaqeshin kalimtarë në rrugë mes tyre edhe një person që ngjante me Kolaverin, që përkon pikërisht për orën dhe datën kur ndodhi atentati nga jashtë burgut në Vaqarr.
“Ky jam unë”, tha asokohe Ergys Kolaveri që gjithashtu insistoi se po kthehej nga një lokal edhe ky i monitoruar me kamera. (Lexo edhe ketu te plote)
Shënjestra e atentatit, Gazmir Daci është dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e Roland Kolaverit që të dy vëllezër me të pandehurin.
Krisja mes palëve ka nisur në Francë nga prishja e pazareve për t’u zhvendosur në Shqipëri në një kontekst tjetër, atë të gjakmarrjes.
Në vitin 2018, në banesën e Dacit në zonën e Bathores u hodh një sasi lënde shpërthyese, për të cilën kjo familje bënte sërish përgjegjëse Kolaverin.
Atentati me snajper në burgun e Vaqarrit
Rreth orës 16:30 të 30 korrikut 2016, në ambientet e ajrimit të burgut të Vaqarrit u qëllua me armë nga jashtë ambienteve të burgut. Duket se autorët kishin informacion të detajuar mbi lëvizjet në qelitë e burgut. Por teksa kanë qëlluar me armë, mbeti i plagosur Lili Dulaj, i dënuar për një vepër të lehtë penale, ç’ka ngriti që fillim dyshime se ai nuk ishte shënjestër.
Menjëherë pas plagosjes, nga zona afër burgut të Vaqarrit është larguar me shpejtësi një automjet tip Mercedes Benz Vito, i cili nga verifikimet sipas policisë, ka rezultuar se ishte në posedim të shtetasit Ergys Kolaveri. Në momentin e kapjes, ai ka qenë së bashku me kushëririn e tij Enea Caka, i arrestuar po ashtu nga policia, ndërsa iu gjetën një palë dylbi, por jo armën me të cilën ka qëlluar.
Më 4 nëntor të vitit të 2015-tës, shtetasi Gazmir Daci ka vrarë me armë zjarri pas një konflikti të mëparshëm, shtetasin Valmir Kolaveri dhe ka plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizua, të cilët ishin vëllezërit e Ergysit.
Atentati i Dacit ndaj vëllezërve Kolaveri
Mbrëmjen e datës 4 nëntor 2015 rreth orës 18:00, Gazmir Daci udhëtonte me një automjet tip BMW X5, në rrugën “Demokracia” në Kamzë. Në afërsi të një njësie tregtare, ai ka hasur në rrugë me një mjetë po BMW X5 i drejtuar nga shtetasi Robert Kolaveri. Në këtë çast, Daci me një armë në dorë ka zbritur nga makina dhe ka shkuar në drejtim të shtetasi Robert Kolaveri ku janë konfiktuar me njëri-tjetrin.
Pas largimit të Robertit, Gazmir Daci ka komunikuar në telefon me Valmir Kolaverin, vëllai i Robertit. Biseda mes tyre ka qenë e tensionuar dhe e shoqëruar edhe më fjalë kërcënuese e fyese. Në përfundim të kësaj bisede, Gazmiri ka shkuar me mjetin e tij në drejtim të njësisë tregtare, ku mendonte se ndodheshin dy vëllezërit.
Këta të fundit i ka gjetur në hapësirën përpara njësisë tregtare në fjalë e pranë një autoveture në pronësi të tyre. Edhe në përballjen me vëllezërit Kolaveri në këtë vend, Gazmir Daci është përfshirë në një konflikt të ashpër verbal me ta.
Në vazhdim e sipër të konfliktit, ai ka nxjerrë armën e tipit pistoletë, që kishte me vete dhe ka qëlluar me të në drejtim të Robert Kolaverit, dhe më pas dhe vëllait tjetër Saimir Kolaveri.
(E.K/Faxweb.al)