Shkrumbimi i ‘Notre Dame’ pikëlloi miliona njerëz në botë. Në rrjet videot live, fotot e dëshmitarëve të traumatizuar, kujtimet e atyre që e kishin vizituar katedralen më të famshme në botë, komente e reagime sigurisht që ishin me mijëra.
Por jehona e ‘garës’ së më të pasurve të botës për të kontribuar ishte pothuajse njësoj e fuqishme sa dhe flakët “live” që rrafshuan Notre Dame. Deri më tani janë dhuruar rreth 1 miliard euro për ringritjen e saj e ndërsa entuziazmi nuk mungon, shumë personalitete e shohin me kriticizëm gjithë këtë fushatë. Publicisti Kim Mehmeti në një koment të tijin e konsideron përfshirjen e Perëndimit në këtë çështje si hipokrizi të pastër sidomos ndaj shkatërrimit të qytetërimeve të lashta të Lindjes si dhe njerëzve të kësaj pjese të botës e cila vuan urinë dhe persekutimin e luftërave.
Postimi i plotë:
“Perëndimi lëvdohet me 1 miliard eurot e mbledhura brenda 24 orëve për rindërtimin e katedrales Notre Dame, por nuk turpërohet nga shurdhëria dhe verbëria e vet ndaj fëmijëve që vriten e vdesin nga uria, si dhe ndaj rrënimit barbar të qytetërimeve të lashta në Lindje të Mesme e të Afërme!”
Ndërtimi i katedrales ‘Notre Dame’ nisi në vitin 1160 dhe u përfundua në vitin 1260, ku mori modifikime të tjera në shekujt në vazhdim. Gjatë epokës së revolucionit francez, shumica e imazheve dhe pikturave u shkatërruan. Ajo u shkrumbua pasditen e 15 prillit.