Policia ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me aksionin e zhvilluar dje në Shijak, ku është zbuluar një laborator për prodhimin e kriptomonedhave.
Pavarësisht se administratori i këtij laboratori tha dje se biznesi i tyre ishte i ligjshëm dhe i regjistruar në QKB, policia raporton për arrestimin e 3 personave, dhe shpalljen në kërkim të disa personave të tjerë.
Burime bëjnë me dije për Fax News se personat e arrestuar janë Liserxhio Xhaferaj, Rramush Dumani dhe Ardian Çekiçi.
Ata akuzohen për veprat penale “Mashtrimet kompjuterike”,”Ushtrimi pa lishencë i veprimeve financiare”,”Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “KRIPTOFARM”, i zhvilluar nga Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës
Evidentohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutës.
Sekuestrohen qindra pajisje që shërbenin për prodhimin e kriptovalutës, të cilat ishin në gjendje pune në dy struktura.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 të tjerë
Pas informacioneve të marra dhe duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia C për hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Vendore Durrës, ka kryer hetime të shpejta në lidhje me verifikimin e një aktiviteti kriminal në fushën e prodhimit të kriptovalutave si dhe ndjekjen penale të disa shtetasve për veprat penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, “Ushtrimi pa liçencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale” .
Në këtë kuadër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. Ç, 26 vjeç dhe Rr. D, 36 vjeç, banues në Tiranë si dhe L. Xh, 23 vjeç, banues në Lushnje.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. H., M.Gj, E.H dhe Th.Z, banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për Hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti përsa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore .
Një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak, Durrës.
Nga verifikimet dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas megjithëse nuk kanë marrë një përgjigjie pozitive nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për krijimin e këtij aktiviteti kanë zhvilluar aktivitetin e tyre i cili bie ndesh dhe me ligjin Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’ duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.
Po ashtu asnjë aspekt i veprimtarisë së këtyre shtetasve nuk është i qartë përsa i përket aseteve të kompanisë, zhvillimit të aktivitetit, deklarimit të fitimit, futjes së të dhënave kompjuterike me qëllim përfitimin monetar etj.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumenta të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.
Deri më tani vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti këta shtetas kanë shpenzuar rreth 1.000.000 euro.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.