Lirimi nga burgu i ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ka risjellë edhe një herë në vëmendje bandat famëkeqe të vitit 1997 dhe më pas dhe krerët e tyre.
Të gjithë kujtojmë emrat e Zani Çaushit, Aldo Bares apo Dritan Dajtit, por cilat janë 10 bandat më të njohura dhe famëkeqe në Shqipëri?
Më poshtë, Shuplaka sjell të detajuara 10 grupet kriminale më të njohura dhe të rrezikshme në Shqipëri, të cilat për vite me rradhë kanë qenë tmerri i Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.
Shumica e krerëve të këtyre bandave tashmë janë në burg, ndërsa një pjesë tjetër janë ekzekutuar në atentate të ndryshme.
1. Banda e “Mandelës”
Eduart Peqini u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bande prej tetë vetash, gjatë trazirave të vitit 1997. Mbi këtë bandë rëndojnë të paktën 13 krime të rënda. Kapoja i bandës, Eduard Peqini, ose siç njihej ndryshme në botën e krimit me emrin “Mandela, bashkë me katër të tjerë, u larguan jashtë vendit në vjeshtën e ’97-ës. Por “Mandela” u arrestua në Francë dhe në vitin 2009 u ekstradua në Shqipëri. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm.
Shumë shpejt ai u bë romi më i “famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri tek djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi Mandelën shqiptar.
2. Banda e Lulzim Berishës (Durrësit)
Banda që më vonë mori emrin e qytetit bregdetar të Durrësit prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
Njëri prej tyre, Adriatik Coli, u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë, duke treguar thuajse gjithçka mbante mend nga aktiviteti i gjithë bandës. Prokuroria u bazua në dëshminë e tij për të hartuar edhe dosjen voluminoze të një sërë krimesh të llahtarshme, duke filluar që nga 17 tetori i vitit 1998 me vrasjen e Dritan Sallakut e deri më 30 tetor të 2005-ës, ku u duk se hakmarrjet e grupit të ndarë më dysh, morën fund me vrasjen e Ilir Kolgjinit, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”.
I ndjeri u ekzekutua pikërisht se njihej si mik i Lul Berishës. Këtë vrasje u tha se e organizoi Indrit Dokle, mik dhe më pas rivali i përjetshëm i Berishës.
Janë dokumentuar mbi 10 vrasje me 11 viktima nga prokuroria që mbajnë autorësinë e anëtarëve të Bandës së Durrësit.
3. Banda e “Kakamit”
Ka në radhët e saj emra të persona VIP. Gazment Braka, me nofkën “Gaxhai”, është dënuar me burgim të përjetshëm dhe ndodhet në burg. Pjesëtar i kësaj bande ishte edhe Alfred Nebiu, i njohur ndryshe si “Kakami”.
4. Banda e “Rrugës së Kavajës”
Pjesëtarët e kësaj bande numërohen rreth 20, ku mbi 10 janë vrarë mes tyre. Veprimtaria e këtij grupi ka qenë e njohur për trafik droge. Fillimisht grupi vepronte si një i tërë, por grindjet për ndarjen e fitimit kishin bërë që “djemtë e Rrugës së Kavajës” të përfundonin në vitin 1999 të ndarë në dy grupe kundërshtare.
5. Banda e Lushnjes (Aldo Bare)
Kjo bandë u krijua nga ish-efektivi i Repartit Special 326, Aldo Bare, në vitin 1997. Arsyeja që ka shtyrë Alfred Shkurtin, emri i tij i vërtetë, është vrasja e vëllait të tij po atë vit nga banda e Artur Dajës.
Vetë Bare u arrestua pas shtatë vitesh në Turqi dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë ku po vuan dënimin.
Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor Aldo Baren për 4 vrasje, 2 tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale. Për secilën nga këto akuza i pandehuri u dënua me 247 vite burg, por në bashkim të dënimeve.
6. Banda e Zani Çaushit
Banda “Çoles” u krijua nga Myrteza Çaushi, i njohur ndryshe edhe si “Zani”, personazhi i rebelimit në Mars të vitit 1997. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë.
Myrteza Çaushi, ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi pasi kishte disa vepra të rënda penale.
Krejt papritur në shkurt 1997 ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat së bashku me disa shokë të tij nga lagjja Çole krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet që ka kryer.
Zani Çaushi ështënë burg aktualisht ku po vuan dënimin e përjetshëm.
7. Banda e Altin Dardhës
Banda e Altin Dardhës ka qenë e mirëorganizuar, por që kryente krime nga më të ndryshmet gjatë vitit 1997. Asaj i faturohen 70 dosje të vjetra, të gjitha vetëm vrasje.
Drejtuesi i kësaj bande ka qenë Altin Dardha, i cilësuar ndryshe si i “forti i Beratit”, i cili është vrarë në Selanik të Greqisë.
8. Banda e Kateshit
U krijua në vitin 1997. Tan Kateshi, një i ri i pasionuar pas makinave, u cilësua si kapoja i bandës, pas disa përleshjeve me armë që realizuan disa nga shokët e tij të ngushtë, ku mendohet se ka qenë i pranishëm edhe vetë Kateshi.
Banda mori formë të plotë pas vrasjes së dy personave në lagjen “Vullnetari”.
9. Banda e Dritan Dajtit
Dritan Dajti, i lindur në Tiranë më 17 nëntor 1971 ka qenë njëri nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Ai ishte një i dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes.
Ai mbahet mend për masakrën e Durrësit ku ekzekutoi katër policë në gusht të vitit 2009. Policët ishin në aksion për arrestimin e tij.
10. Banda e Emiljano Shullazit
Emiljani Shullazi, i cili është cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i grupit, tashmë është i arrestuar. Anëtarë të tjerë të kësaj bande, e cila është krijuar në Tiranë, janë: Pajtim Serjani, Ervin Ferhati, Artan Allushi, Erges Ymeri, Artan Shabani, Selfo Driza, Ermal Gogu, të gjithë të arrestuar.
Mbi 17 vite “karrierë aktive” ka mbi supe Emiljano Shullazi, i cili për muaj me rradhë ka qenë edhe kryefjala e politikës dhe medias shqiptare. (A.R / SHUPLAKA)/