Joleza Koka, ish-kryetarja e FRESH-it duket se është irrituar së shumti nga një artikull i botuar në disa media me titullin ‘’10 femrat më të pabesa në historinë e letërsisë”. Për këtë Joleza është kundërpërgjigjur me një shkrim të sajin, ku edhe ka dhënë argumente për qëndrimin e saj kundërshtues.
Shkrimi i saj:
Po qarkullon një artikull me titull ‘10 femrat më të pabesa në historinë e letërsisë!’. Veç faktit që kushdo që e ka shkruar për herë të parë është një idiot, një injorant, një njeri i rrezikshëm për shoqërinë, problem është edhe që prej dy vitesh ky artikull vazhdon të botohet e të ribotohet dhe deri tani qindra mijëra sy kanë lexuar këto rreshta që për shkak të thellësisë e injorancës po bëjnë të dridhen kockat e autorëve në varre. Është shumë problem kur njerëzit nuk lexojnë, por ata që lexojnë dhe nuk kanë kuptuar asgjë janë dhe më keq. Nuk po dua ta mendoj fare që dikush i ka lexuar këto libra, i ka kuptuar dhe gjithsesi ka vendosur të shkruaj këtë artikull të tmerrshëm sepse në atë rast duhet lajmëruar policia. Le të themi që po ndërhyj vetëm për të theksuar se pse ky artikull duhet zhdukur nga qarkullimi.
E fillon duke thënë: “Përpara se t’i dhuroni një libër bashkëshorteve ose të fejuarave bëni kujdes: historia e letërsisë është e mbushur me gra të pabesa. Kjo këshillë vlen, sepse personazhet e librave mund t’i frymëzojnë ato. Këtu kemi treguar 10 nga personazhet e këtyre fiksioneve. Por lista do të ishte akoma më e gjatë”.
Dhe me të njëjtën ide idiote në kokë vazhdon komenton njëra pas tjetrës Ana Kareninën, Madam Bovarinë, Kitin, Xhinevran etj., etj., deri tek Franceska e Dante Aligerit, pa kursyer sigurisht dhe Helenen e Trojës.
Ta nisim nga fillimi.
Leo Tolstoy besonte se një roman nuk ishte vetëm një burim argëtimi, por një mjet për edukimin psikologjik dhe reformimin e lexuesve. Në sytë e tij, ai ishte mediumi suprem ku ne kemi mundësi ti njohim të tjerët, veçanërisht ata që nga jashtë mund të duket antipatik apo dhe të neveritshëm. Me këtë mënyrë ai është munduar të na zgjeroj humanizmin dhe tolerancën tonë. Prova të kësaj janë romanet e tij botërisht të suksesshme Lufta dhe Paqja, Ana Karenina dhe Vdekja e Ivan Ilych.
Tolstoy nuk besonte në idenë e artit si qëllim në vetvete. Ai besonte fortë se arti i mirë duhet të na bëj ne më pak moralizues dhe gjykues. Asnjë nga përpjekjet e Tolstoyt nuk mund të vlerësohet pa pasur parasysh se ai e dënonte anën moralizuese të shoqërisë. Pra të citosh Tolstoyn duke përcjell prej tij vetëm që Ana Karanenina na paska qenë e përdalë është lemeritëse, do ishte hedhur ai vet në shinat e trenit po ti shkonte sikur dhe afër mendjes që mund të shkaktonte diku në një cep të humbur të botës këtë efekt.
PËRKUNDRAZI edhe në rastin e “Lufta dhe Paqja” që sipas standardeve të shoqërisë, Natashe dështoi në mënyrë të tmerrshme. Nëse do na binte rasti të lexonim në lajmet e fundit të viteve 1800 për tentativën e vetëvrasjen e saj do dilnim menjëherë në konkluzionin që nuk e meriton simpatinë apo keqardhjen tonë pasi në fund të fundit mori atë që meritonte duke kërkuar që të anulonte fejesën për shkak se donte dikë tjetër. Ndërkohë që Tolstoy gjatë gjithë librit na bën të mbajmë anën e Natashës dhe në këtë mënyrë ai bën diçka që mendon që është fondamentale për një jetë etike; nëse ne do të shikonim më në brendësi jetët e të tjerëve, ne nuk do mund ti perceptonim më me të njëjtën ftohtësi dhe një anshmëri, por do ti trajtonim me mirësinë që ata vërtetë kanë nevojë dhe që meritojnë. Asnjë nuk duhet të ngelet jashtë rrethit të simpatisë dhe faljes.
Ndërkohë që Ana Kareninën ai e ka heroinën e romanit të tij, as nuk i shkon në mendje që nuk mund veç se të dashurohemi pas saj. Në këtë roman ai në fakt mundohet të na zgjojë ndjenjat e dhembshurisë për Kareninin pompoz dhe të ngurtë. Në këtë tragjedi tregohet historia e një gruaje të bukur, të zgjuar, energjike e me zemër të madhe dhe burrit të saj i cili nuk është në gjendje t’i përmbushi asnjë dëshirë emocionale. Ai madje duket sikur nuk është në gjendje të ketë asnjë ndjenjë të vetme përveç shqetësimit se çfarë do të mendojnë të tjerët për të.
Por prapë edhe këtu fal mençurisë së Tolstoyt jemi në gjendje të shikojmë një aspekt komplet të papritur të këtij njeriu. Ai na bën të kuptojmë se ndryshe nga sa mund të duket duke gjykuar nga jashtë Karenini nuk është aspak një personazh i jashtëzakonshëm por një miksim normal midis së keqes dhe shumë të mirës.
Pasi kalon shokun e parë mbi komentet për Tolstoyn, idioti shqiptar, që jam e sigurt është i gjinisë mashkull, ka marrë guximin të japi konkluzionin e vet edhe për Madam Bovarinë e Gustav Flobert duke e përkeqësuar edhe më keq situatën.
Të ndalemi pak më gjatë këtu, se kjo është vërtetë e rëndë. Po citoj: “Një grua e pabesë dhe protagonistja e një tjetër romani të letërsisë europiane të viteve 1800. Ema martohet me një burrë naiv dhe pa shije, Çarls Bovari. Ai, në këmbim të përkushtimit, merr nga gruaja e tij gënjeshtra të pafundme dhe tradhtinë e vazhdueshme me një varg burrash të tjerë. Kurse ai, do ta kuptojë këtë gjë, por atëherë është shumë vonë”.
Besoj që thënë këtë e kam mirëkuptimin e atyre që e kanë lexuar librin për të sqaruar disa gjëra bazike në këtë pikë.
Gustave Flaubert ishte një novelist i shekullit të 19-të që meriton dashurinë dhe simpatinë tonë për atë që ai ka shkruar po aq sa edhe për atë qe ai ishte. Flaubert ka prodhuar novelën tragjike më të mirë të të gjitha kohërave, Madame Bovary për të cilën ai punoi për 5 vjet. Ai e kuptonte qëllimin e ekzistencës së tragjedisë. Në këtë mënyrë ai na bën që të përjetojmë një shkallë më të madhe mirëkuptimi për dështimin e tjetrit nga sa mund të ndjejmë zakonisht. Na shkund nga moralizmat zakonore dhe superioritetin e brishtë. Na ndihmon të krijojmë empati në mënyra që media moderne në fakt na pengon.
Ai u frymëzua për të shkruar Madame Bovary nga një lajm që kishte lexuar në gazetë në verën e 1848 për vetëvrasjen e Delphine Deamare e cila la pas një vajzë, pakënaqësi e tradhëti martesore dhe borxhe të shumta prej veshjeve luksoze. Flauberti 27 vjeçar, i fasinuar nga kjo histori e shndërroi lajmin moral një dimensional bardh e zi të Madame Delamare në përrallën e gruas tradhëtare Madame Bovary që iu tregoi lexuesve se sa e lehtë është që martesa të të shndërrohet në mizerje pa qenë aspak një njeri i keq.
E vetmja gjë që lexuesit mund të ndjejnë për të është keqardhje për mizorinë dhe pakuptimësinë e jetës, që pak po e sigurtë të lë me lot në sy.
Madje, ai na lë të kuptojmë që një pjesë e zhgënjimeve të Emës vjen nga idetë e krijuara nga novela të këqija romantike që ajo ka lexuar duke i dhënë një perceptim jo realist për jetën dhe iluzione për dashurinë. Jo çdo ditë e jetës së saj do ishte e mbushur me pasion e aventura ashtu si kishte lexuar që e vogël. Ndoshta një libër që mund ta kishte shpëtuar atë nga fundi tragjik ,mund të kishte qenë libri ku ajo vet është personazhi kryesor.
Për Danten dhe Homerin më vjen zor dhe të marr ti analizoj. Nuk di se si mund ti vej në mendje njeriu të ruaj gruan se mos e tradhton sepse po lexon se çfarë ka ndodhur para 1-2 mij vjetësh.
Përtej irritimit, që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë, që me ka shkaktuar ky artikull, kisha një shpresë të fundit që ndoshta si zakonisht mund të jetë ndonjë artikull i përkthyer nga diku. Mbase nga ndonjë ëebsite humoristik. Por jo, nuk ka asnjë renditje të ngjashme asgjëkundi. Asnjeriu tjetër veç shqiptarit nuk i ka shkuar në mendje të bëj një lidhje të tillë të këtyre personazheve që vet qëllimi i eksizstencës së tyre ka qenë për të emancipuar shoqërinë. Po, ka artikuj në internet me tituj: “10 Evil Ëomen In Literature” apo “The 10 Most Badass Ëomen in Fantasy Literature” ose “Top 10 Most Evil Ëomen”, por aty përmenden emra si Irma Grese, e cila ka qenë gardiane burgu në kampin e përqendrimit Auschëitz dhe si detyrë kishte torturimin fizik dhe psikologjik të 30000 grave hebreje. Apo Isabella e Castile, që megjithëse Kisha Katolike e njeh si shërbëtore të perëndisë, për faj të saj 200,000 mysliman dhe hebrenj u detyruan të largohen nga Spanja. Dhe “Bloody Mary” mbretëresha Mary I e Anglisë, që nuk i mungon asnjë liste me gra famëkeqe, gjakatare të historisë.
Diskutimi për të mirën dhe të keqen në të gjithë botën ka shtyrë burra dhe gra të bëjnë kryevepra që t’i nxitin njerëzit të jenë më tolerant, më të dhimbsur, më solidar, që edhe aty ku shikojnë diçka të keqe të mundohen të jenë mirëkuptues dhe të gjejnë burimin e vërtetë të dhimbjes. Ka më shumë se dy mijë vjet qytetërim që mundohet të na shtyjë drejtë emancipimit, smund të lejojmë idiotët të na vënë përpara. Jepjani grave, vajzave, mamave, shoqeve të klasës këto libra të mrekullueshëm, lexojini dhe vet. Madje, nëse dikush ju dhuron “Lehtësira e papërballueshme e qenies” të Kunderes mund të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për ta marrë për burrë.
Por përpara se të lexoni çfarëdo artikull në cilindo portal shqiptar, bëni kujdes! Bëni kujdes se mund ta ketë shkruar një idiot!
post scriptum:
Budallallëku i Medias Moderne
Flaubert nuk i duronte dot gazetat. Ai i përkiste gjeneratës që kishte përjetuar në vet të parë qarkullimin në masë të gazetave dhe besonte që ato ishin duke shpërndarë në çdo cep të Francës një lloj të ri budallallëku – të cilin e quajti “la bêtise” (idiotësi).
Për Flaubertin idiotësia dhe injoranca nuk ishin e njëjta gjë, për shkak se përputhej me pasjen e shumë informacioneve – por me mos kuptimin e thelbit të tyre.
Idioti modern mund të di në mënyrë rutinore çfarë dinin vetëm gjenitë në të kaluarën, dhe prapë ai ngelet një idiot – një kombinim i dëshpëruar karakteristikash që nuk përbënte një shqetësim për brezat e kaluar. Lajmet, për Flaubert, kishin armatosur marrëzinë dhe i kishin dhënë autoritet budallenjve.