Eduart Ndocaj, Kryetar i PBDKSH, dhe ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News për të diskutuar lidhur me mungesën e energjisë në disa fshatra të Lezhës, dhe probleme të tjera me të cilat përballen qytetarët.
Sipas Ndocajt banorët e krahinës së Zejmenit kanë katër ditë që janë pa drita, dhe për këtë ka pasur dhe një protestë nga ana e tyre, transmetuar dhe në Fax News.
Ndocaj tha se pushteti lokal në këtë zonë është inekzistent dhe se 22 prej punonjësve të saj firmosin çdo muaj në polici, për shkak se janë nën hetim, pas skandalit me pronat.
‘’Ka katër ditë që mungon energjia elektrike, mbi 13 fshatra dhe 10 mijë banorë janë pa drita që prej katër ditësh. Është një zonë e amortizuar, sa herë që ka stuhi shiu fiken dritat. Është e papranueshme që të lihet në errësirë një krahinë e tërë.
Kjo qeveri e ka ndarë mendjen që të shkaktojë vetëm katastrofa. Kam folur me drejtorin e OSHEE-se dhe i kam çuar sms dhe vetë ministrit, po asnjë elektriçist nuk duket në terren. Në një tjetër zonë ka ardhur tensioni i lartë rreth 400 volt dhe ka prishur të gjitha paisjet, dhe nuk jep asnjë përgjigje.
Është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Mbi 20 familje më kanë njoftuar mua, pushteti lokal është inekzistent.
Ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në atë bashki ku 22 punonjës firmosin çdo muaj detyrim paraqitjeje në polici.
Është një Bashki që ka falimentuar dhe nuk paguan dot rrogat e punonjësve. Pushteti lokal dhe qendror sillen me qytetarët sikur janë pushtues, merren të miturit dhe futen në burg, madje iu thyhen edhe gishtat në shenjë hakmarrjeje”, u shpreh Ndocaj.
Ndërkohë që një tjetër problem me të cilin përballen qytetarët e Lezhës është dhe përmbytja e banesave, situatë për të cilën Ndocaj bën fajtorë të gjithë drejtuesit që ka pasur ndër vite Bashkia e Lezhës.
‘’I gjithë buxheti që jep qeveria qendrore shkojnë vetëm për rrogat e 1300 punëtorëve, që mbahen si militantë, për shkak se do të përdoren në zgjedhje. Tani ka pasur një shkurtim dhe sot marrin rrogën 700 militantë”, u shpreh Ndocaj.
Ish-deputeti u shpreh më tej se iu kërkon qytetarëve të votojnë për të në zgjedhjet e 30 Qershorit të ardhshëm, pasi Lezha sipas tij i ka të gjitha potencialet për t’u zhvilluar, po për shkak të korrupsionit ka mbetur në vendnumëro.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post