Policia e Tiranës ka dhënë versionin e saj të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku Fax News raporftoi se një i ri ishte kërcënuar me armë në biznesin e kunatit me qëllim gjobvënien.
Sipas policisë Ramazan Shahini, ka deklaruar fillimisht se i kishin vjedhur telefonin, dhe më pas se e kishin kërcënuar me armë.
Ndërkohë që sipas policisë pas verifikimit të pamjeve filmike, rezultoi se Shahini ishte përfshirë në një konflikt fizik me shtetasin Maljon Hoxha, ndërsa për të dy ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Policia thotë se po vijojnë verifikimet për identifikimin e personave të tjerë që janë përfshirë në konflikt.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, proceduan në gjendje të lirë shtetasit R. Sh., 31 vjeç dhe M. H., 33 vjeç, të dy për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Rrjedhja e ngjarjes:
Në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë që shtetasin R. Sh, e kanë grabitur persona të paidentifikuar. Menjeherë në vendngjarje kanë shkuar sherbimet e Policisë dhe kanë marrë kontakt me këtë shtetas i cili ka deklaruar se nuk është e vertetë që e kanë grabitur, por që e ka harruar telefonin diku tjetër.
Më pas po ky shtetas ka hedhur dyshime që e kanë goditur persona të armatosur, ku pas verifikimeve të Policisë dhe kqyrjes së pamjeve filmike ka rezultuar se ka patur thjesht një konflikt fizik midis R. Sh dhe M. H., pa përdorimin e armës apo sende të forta.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Çfarë pretendonte fillimisht Shahini
“Nuk e di si kam shpëtuar prej tyre. Ishin diku te 10 persona, prej tyre kishte të armatosur. Janë nga zona e Mamurrasit. Erdhën me makina me xhama të errët. Njëri më drejtoi armën. Pastaj më goditi duke më shkaktuar plagë me qytën e saj në kokë. Nuk dija ç’të bëja. U ndjeva në rrezik”.
(E.K/Faxweb.al)