Foshnjat në qytetin e Gazës po përpiqen të mbijetojnë pa qumësht gjiri dhe pa formulë të mjaftueshme, për shkak të mungesës ekstreme të furnizimeve mjekësore dhe ushqimore. Infermierja australiane Christy Black, e cila punon vullnetarisht prej katër javësh në një spital në Gaza, ka dhënë një përshkrim tronditës të situatës në terren.
“Spitalit ku punoj i mungon çdo lloj furnizimi mjekësor,” tha Black për Al Jazeera. Sipas saj, mungesa përfshin edhe formulat ushqimore për gratë shtatzëna që kanë nevojë për ushqyerje nazogastrike, çka i ka lënë ato pa lëndët ushqyese të nevojshme për prodhimin e qumështit të gjirit. Po ashtu, mungon edhe formula për foshnjat.
“Më të prekshmit tanë po vdesin,” shtoi ajo. “Kemi parë disa foshnja të vdesin gjatë dy ditëve të fundit në Qytetin e Gazës. Është vërtet e dëshpëruar këtu.”
Black tregoi se fëmijët po kërkojnë në mbeturina për të gjetur ushqim. “Shohim fëmijë që mund të jenë nëntë apo dhjetë vjeç, por që duken si dyvjeçarë nga kequshqyerja,” tha ajo. Plagët nuk po shërohen për shkak të mungesës së ushqimit, dhe sëmundjet respiratore janë shtuar ndjeshëm për shkak të bombardimeve të mëdha në qytet dhe në pjesë të tjera të Gazës.
“Është katastrofike këtu,” tha Black. “Nuk njoh asnjë sistem shëndetësor në botë që do të mund të përballonte atë që po ndodh këtu.”
Megjithatë, ajo vlerësoi përkushtimin e punonjësve shëndetësorë lokalë në Gaza, të cilët sipas saj po japin gjithçka nga vetja çdo ditë për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm: “Kolegët tanë janë thjesht të mrekullueshëm.”