Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ ka uruar ditën e pavarësisë së Kosovës.
Ajo shkruan se 10 vite më parë pavarësia e Kosovës ishte lajmi më i gëzuar për të gjithë shqiptarët anëkënd botës.
Postimi i Kryemadhit:
Gëzuar Kosovë!
10 vjet më parë pavarësia e Kosovës ishte lajmi më i gëzuar për të gjithë shqiptarët anëkënd botës.
10 vjet më parë hareja dhe gëzimi ishin pjesë e jetës së çdo shqiptari, pavarësisht vendit ku ndodhej.
10 vjet më parë media ndërkombëtare i kushtoi vëmendjen maksimale shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri dhe ndoshta nga më të vuajturit në Evropë.
10 vjet më parë, sakrificat, përpjekjet dhe lufta e një kombi së bashku dhe me mbështetjen dhe angazhimin e ndërkombëtarëve sollën pavarësinë e munguar ndër shekuj.
Sot, 10 vjet më pas festa dhe hareja janë prapë pjesë e jetës së çdo shqiptari, që më shumë se kurrë ka një arsye për të gëzuar, një komb dhe shtet me moshën e një fëmije që po rritet.
10 vjet janë shumë pak për të fituar pjekurinë e një shteti që aspiron Evropën, por mjaftueshëm për të treguar seriozitetin me të cilin ky shtet është angazhuar për të plotësuar aspiratën e shqiptarëve të Kosovës: përfshirjen sa më shpejt në familjen evropiane.
Ndaj le të jetë dita e sotme, përveç se një ditë gëzimi, edhe një ditë reflektimi mbi atë çfarë klasa politike në Kosovë e Shqipëri ka bërë për të realizuar aspiratën pa kufij mes vendeve tona, atë të shqiptareve pjesë e familjes së madhe evropiane.
(B.H/Faxweb)