Pak ditë pasi trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, paraqiti një denoncim për të në gjykatë, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka zbuluar se avokatët e tij po përgatiten mirë për çështjen. Në një intervistë për “Syri.net”, Nishani u shpreh se nuk do ta tërheqë fjalën “sharlatan”.
“Jo, absolutisht. Nuk shoh asnjë arsye për ta tërhequr atë opinion që kam shprehur në këtë bashkëbisedim. Ajo që mund t’iu them ka të bëjë me faktin që grupi i avokatëve të mi po përgatitet seriozisht për këtë çështje. Është një çështje që ia vlen dhe do të jetë shumë interesante kur të zhvillohet në sallën e gjyqit.”, tha ai.
Nishani ka zbuluar edhe pse ka komentuar Panuçin, duke theksuar se e ka bërë në kuadër të një bashkëbisedimi me miqtë e tij në Facebook.
“Nuk kam bërë koment. Kam pasur një bashkëbisedim në Facebook-in tim privat, me miqtë e mi, aty kam shprehur një opinion për shkak të disa rrethanave. Besoj se është në të drejtën time të jap opinionet e mia me miqtë e mi në rrjete sociale”, tha ai.
Intervista
Çfarë iu shtyu të komentonit Kristian Panuçin?
Nuk kam bërë koment. Kam pasur një bashkëbisedim në Facebook-in tim privat, me miqtë e mi, aty kam shprehur një opinion për shkak të disa rrethanave. Besoj se është në të drejtën time të jap opinionet e mia me miqtë e mi në rrjete sociale.
Ajo që mund t’iu them ka të bëjë me faktin që grupi i avokatëve të mi po përgatitet seriozisht për këtë çështje. Është një çështje që ia vlen dhe do të jetë shumë interesante kur të zhvillohet në sallën e gjyqit.
A do e tërhiqnit atë koment?
Jo, absolutisht. Nuk shoh asnjë arsye për ta tërhequr atë opinion që kam shprehur në këtë bashkëbisedim. Ajo që më duhet të iu them, është që vërtet po përgatitem seriozisht sepse është një çështje që duhet trajtuar seriozisht.
A mendoni që Panuçi është shtyrë edhe nga faktorë të tjerë për të bërë këtë padi?
Nuk e di. Ndoshta proçesi do ta zbulojë edhe këtë.
Në rast se do të ishit Presidenti i Republikës dhe Kristian Panuçi do të vijë të kërkojë shtetësinë shqiptare si trajner i Shqipërisë. A do bënit të njëjtën gjë që keni bërë me De Biazin?
Patjetër. Shtetësinë patjetër. Ndërsa çështja e nderimit dhe e vlerësimit ka kritere të tjera
(J.D/Faxweb.al)