Kreu i LSI-së Petrit Vasili, duket se i është përshtatur mjaft mirë ndryshimeve teknologjike. Edhe pse ka shumë pak kohë që është rregjistruar në Facebook, ai sot ka transmetuar LIVE përmes profilit të tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ndjekësit e tij në Facebook.
Në rubrikën “LSI ka një përgjigje për ty”, Vasili është përgjigjur lidhur me planin e LSI për punësimin e të rinjve.
“Është një plan të cilin e bluajmë në kokë prej kohësh, prej vitesh. Elemente të rëndësishme kemi futur edhe në fushata të mëparshme të pushtetit vendor dhe qendror. Sot e kemi më të konsoliduar se kurrë, me 100 mijë vende të reja pune vetëm për të rinjtë dhe të shpërndarë mirë në sektorë ku vende pune realizohen realisht dhe nuk janë thjesht premtimi elektoral i radhës, apo të themi formalizimi i radhës, i cili konsiderohet punësim, e të tjera histori si këto që nuk kanë bindur askënd dhe i kanë bërë të rinjtë të mos e prekin dot me dorë punësimin që kanë ëndërruar. Pra, do të thoja që gjëja kryesore dhe mbi të gjitha është realizmi. Një plan që realizohet në mënyrë konkrete dhe që të rinjtë do ta prekin me dorë.”, është përgjigjur Vasili.
PYETJE-PËRGJIGJET
Cila është sfida më e madhe me të cilën përballen të rinjtë sot në Shqipëri?
Sfidat me të cilat përballet të rinjtë sot janë të e shumanshme. Nuk është sfidë me vetëm një komponent. Megjithatë, kryefjalë e saj është punësimi, që do të thotë integrimi i saj në jetën shoqërore me të gjithë komponentët që ajo ka.
Integrimin në shoqëri, perspektivën në arsim, perspektivën në karrierë, krijimin e familjes, por megjithëse është një sfidë e shumanshme besoj që kryesfida mbetet punësimi i tyre, pasi kjo, kur nuk realizohet, krijon dekurajim të madh, krijon dëshpërim pse jo. Dhe ky dëshpërim rezonon jo vetëm te i riu si individ, por te të gjithë të rinjtë dhe të rejat të cilët janë miqtë dhe shokët e tij, po aq më shumë reflektohet në mënyrë shumë të dhimbshme dhe brenda familjes ku besoj në shumë momente janë pikërisht prindërit, vëllezërit dhe motrat që e vuajnë këtë dëshpërim më shumë se sa edhe vetë të rinjtë në momente të caktuara.
Dhe kësaj pikërisht ne i jemi adresuar për përgjigjet më të mëdha, por do të doja ta rezervoja përgjigjen time pasi shoh një pyetje tjetër, që më ndali për t’i kthyer përgjigje deri në fund pyetjes së parë, sepse mund ta shtjellojmë me sa shohë në përgjigjen e pyetjes së dytë.
LSI sot ka një plan punësimi. Ku ndryshon ai nga planet e partive të tjera?
Pyetje absolutisht logjike, e pashmangshme, do ta kisha bërë vetë po të isha i ri. Kemi një diferencë të madhe. Diferenca është realizmi. Kemi prezantuar një plan punësimi që drejtohet drejtpërsëdrejti tek të rinjtë.
Nuk është një plan i përgjithësuar siç është folur vazhdimisht nga politika shqiptare, ku flitet për punësimin në tërësi, por kemi folur dhe jemi qartësuar me detaje, me ekspertizën më të mirë profesionale vendase dhe të huaj, jemi menduar shumë gjatë, jo në javët e fushatës.
Është një plan të cilin e bluajmë në kokë prej kohësh, prej vitesh. Elemente të rëndësishme kemi futur edhe në fushata të mëparshme të pushtetit vendor dhe qendror. Sot e kemi më të konsoliduar se kurrë, me 100 mijë vende të reja pune vetëm për të rinjtë dhe të shpërndarë mirë në sektorë ku vende pune realizohen realisht dhe nuk janë thjesht premtimi elektoral i radhës, apo të themi formalizimi i radhës, i cili konsiderohet punësim, e të tjera histori si këto që nuk kanë bindur askënd dhe i kanë bërë të rinjtë të mos e prekin dot me dorë punësimin që kanë ëndërruar. Pra, do të thoja që gjëja kryesore dhe mbi të gjitha është realizmi. Një plan që realizohet në mënyrë konkrete dhe që të rinjtë do ta prekin me dorë.
Në çdo fushatë elektorale kemi parë premtime pa fund të partive politike për punësimin. Edhe në vitin 2013 kryeministri Rama premtoi 300 mijë vende pune. A u realizua ky premtim?
Pyetje e fortë, pa asnjë diskutim. Ka pasur një debat të madh për këto 300 mijë vende pune. Në bindjen time nuk është një premtim i mbajtur. Shpeshherë është interpretuar formalizimi i vendeve të punës aktuale si vende pune të reja. Nuk më duket një qëndrim korrekt ky. Korrekt do të ishte sa ishin vendet e reja të punës që realizuan dhe besoj 300 mijë vende pune të reja pune, kjo mazhorancë nuk i ka realizuar në këto katër vjet.
LSI përmend vazhdimisht fjalën “punë të mirëpaguar”. Ç’do të thotë kjo për ju?
Ka të bëj me një sens të rëndësishëm dhe shoqëror dhe psikologjik. Në pikëpamjen shoqërore punë e mirëpaguar do të thotë një integrim më i mirë, pasi të ardhura më të mira do të thotë një integrim shoqëror shumë më i mirë.
Por, për sa i takon anës psikologjike, sigurisht që një pagë më e lartë krijon një raport tjetër me sfidat e përditshmërisë, të cilat kërkojnë thjesht të ardhura të cilat duhet t’i përballojë këto sfida të përditshme. Qoftë nga mbajtja gjallë e familjes apo qenia pjesë e shoqërisë, apo kryerja e atyre shpenzimeve të domosdoshme, duke filluar nga ushqimi, veshmbathja, por dhe ato që janë shpenzime shoqërore. Pasi ne jemi njerëz shoqërorë, të rinjtë janë njerëz shoqërorë, do t’u duhet të pine një kafe, do t’u duhet që të ndajnë një birrë apo një pije me miqtë, të cilat në fund të fundit janë shpenzime.
Në qoftë se do të kishin një punë të keqpaguar, këto do të ishin shpenzime të ndaluara, mollë e ndaluar, do të thoshte një mungesë integrimi. Prandaj puna e mirëpaguar ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe të krijon krejtësisht një psikologji tërësisht të re për të rinjtë. Një qasje tjetër ndaj shoqërisë, por edhe një krenari që shtohet dhe i bën ata shumë më mire të integruar në shoqëri dhe që u mundëson atyre që dhe aspiratat e tyre për të ecur përpara, por dhe për të realizuar familje, bëhet një aspiratë e mundshme dhe jo një aspiratë e dhimbshme të cilës nuk i kthehet asnjëherë përgjigje.
Punë të mirëpaguara arrihen kur ne ecim në sektorë të tillë të rëndësishëm siç janë sektorët e shërbimeve, por edhe sektorë të tjerë siç janë sektorët e turizmit, por edhe në bujqësi realizojmë punë të mirëpaguara nëse bujqësia ecën intensivisht dhe dyfishon apo trefishon prodhimet e saj.
Pra, i tërë sfondi që ne kemi krijuar me 100 mijë vendet e punës, është jo vetëm 100 mijë vende të reja por edhe punë të mirëpaguara dhe këtu kemi dhënë dy përgjigje të mëdha: punësim më shumë dhe punësim i mirëpaguar.
Unë jam punonjës i sektorit bankar. Kam një pyetje të thjeshtë. Ju si LSI do të vazhdoni me taksën absurde prej 23% të të ardhurave?
Pyetje shumë e rëndësishme që i drejtohet besoj asaj pjesë që drejton shoqërinë tone, qoftë nga pikëpamja e biznesit, qoftë nga pikëpamja e mendimit, pasi janë njerëz që kryejnë punë kualitative, të mirëpaguara dhe të cilat duhen inkurajuar.
Besoj që taksa absurde prej 23% i ka dekurajuar, ka rritur dukshëm informalitetin, pasi mjaft t’ju kujtoj që nga 12,000 persona që paguanin tatime dhe paguanin këtë lloj takse, në pak kohë ajo u përgjysmua në 6,000. Pra do të thotë që informaliteti u rrit, pasi u vendos një taksë dekurajuese dhe demotivuese.
Ne e kemi premtim shumë të qartë. Të gjithë ata persona që shpërblehen mbi 350,000 lekë të vjetra, dua të jem shumë i qartë me të gjithë e deri në 2 milionë, ku mesatarisht ata taksoheshin 20%, taksa e tyre do të jetë vetëm 8 përqind. Pra, e ulim dy herë e gjysmë këtë taksë që u takon disa mijëra profesionistëve, ndërsa ata që paguhen mbi 2 milionë lekë të vjetra sikurse është janë për shembull punonjësit e sektorit bankar, mjaft të tjerë që menaxhojnë sektorë të rëndësishëm biznesi, mjaft të tjerë që kryejnë punë intelektuale, në gazetari, në median shqiptare, që tatoheshin në mënyrë absurde prej 23%, taksa e tyre e re e propozuar nga LSI do të jetë vetëm 10%.
Pra, ulje me më shumë se dyqind e ca përqind, në raport me taksën aktuale. Dhe në këtë mënyrë, japim motiv të ri që ata të vazhdojnë me shumë intensitet punën e tyre dhe mendja e truri i tyre është shumë i vlefshëm për vendin tonë e ne nuk duhet ta humbim kurrsesi e ta dekurajojmë, por njëkohësisht japim edhe mesazhin tjetër që formalizimi i ekonomisë, formalizimi i njerëzve që punojnë është një sukses për shoqërinë, informaliteti është një plagë e cila e dëmton ekonomikisht shoqërinë dhe mban një fashë të zezë e cila vazhdon të mbajë pastaj atë informalitet shumë të lartë, që rankohet deri në nivelin 40 %.
Si e kaloni kohën e lirë kur nuk merreni me politikë?
Të jem i sinqertë me ju do të dëshiroja shumë të kisha kohë të lirë. Kam shumë pak kohë të lirë. Do të doja me gjithë zemër të kisha shumë më tepër kohë, por në këto momente të cilat ndodhet vendi, në qoftë se nuk punon shumë, edhe në kurriz të kohës së lirë, Shqipëria nuk bëhet dot më e mirë, sepse Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri e punës dhe jo më një Shqipëri e fjalëve dhe e pushimit të gjatë.
Ilir Meta tha se LSI është si Portugalia. Arriti të fitonte në finale dhe me mungesën e Ronaldos? Te cili lojtar i Portugalisë e shihni veten?
Si pjesë e pandashme e ekipi, si njeri që kryen me përkushtim punën e tij, së bashku me një ekip të madh ku secili kryen detyrën e tij, e sikur njëri të mos kryejë detyrën e tij nuk mund të ketë fitues.
Facebooku, Instagram, Snapchat, cilin rrjet social preferoni më shumë?
Natyrshëm jam duke u munduar në Facebook. Besoj se ky është rrjeti im i preferuar. Të gjithë janë legjitim. Të gjithë janë të mirëpritur. Unë jam familjar me të.
Njihesh si tifoz i madh i Tiranës. Si e shikon krizën e ekipit bardheblu dhe rrezikun për të rënë nga kategoria?
Me dhimbje të madhe e shikoj këtë krizë. Tifoz prej kaq shumë vitesh. Nuk do të doja kurrë të shikoja skuadrën time të diskutonte kategorinë, por do të doja ta shikoja kampion. Megjithatë, në futboll të gjitha janë të pranuara, rëndësi ka për mua që stadiumet shqiptare të jenë të mbushura me tifozeri, të ketë futboll të mirë, të mos ketë dhunë nëpër stadium dhe të ketë gëzim në ditët kur ka ndeshje dhe të mos ketë, thashë edhe një here tjetër, dhunë dhe ngjarje të rënda.
Duhet të fitojë futbolli, skuadrat është mirë të fitojnë, por më e rëndësishme është që të fitojë futbolli, pasi edhe jeta qytetëse fiton shumë nga ky dimension.
Besoj që u përpoqa t’i shteroj me përgjigje pyetjet që më kishin ardhur, jam shumë i lumtur që pata një fare privilegji të hap këtë rubrikë të re “LSI ka një përgjigje për ty”.
Do të keni shumë miq, kolegë të politikës dhe jo vetëm, të cilët do të jenë në komunikim me ju, do të shterojnë mjaft nga pyetjet tuaja me përgjigjet që ata mendojnë dhe do t’i njihni më mire edhe si njerëz të politikës por edhe thjesht si njerëz. Faleminderit të gjithëve! (D.D/Shuplaka)