Me rastin e 104-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, Ministria e Mbrojtjes organizoi në Garnizonin “Skënderbej”, Ditën e Hapur në FA.
Që në orët e para të mëngjesit, një numër i madh vizitorësh morën pjesë në këtë aktivitet, ku panë nga afër mjetet, pajisjet dhe armatimin që kanë në përdorim Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke filluar që nga helikopterët, mjetet e blinduara dhe armët e reja të standardeve të NATO.
Vizitorët patën mundësinë të njiheshin nga afër me punën e burrave, grave dhe djemve e vajzave nën uniformë, që shërbejnë në FA.
Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Dedë Prenga, pasi uroi të gjithë ushtarakët me rastin e 104 – vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, vlerësoi punën dhe misionin e tyre gjatë këtij viti.
“Me bindje mund të themi se në sajë të udhëheqjes politiko – ushtarake, por edhe të vet Shtabit të Përgjithshëm, komandat kryesore dhe ato mbështetëse kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin e të gjitha detyrave të planifikuara për këtë vit si edhe atyre të paplanifikuara. Natyrisht që një nga detyrat dhe misionet kryesore të Forcës së Armatosur lidhet me emergjencat civile për t’iu gjendur popullatës në nevojë në çdo moment dhe për të ofruar sa më të shpejtë ndihmën. Përfitoj nga rasti të përshëndes jo vetëm ushtarakët në uniformë dhe civilët e Forcave të Armatosura, por të gjithë popullsinë edhe udhëheqjen në drejtimin e komandimit që në çdo kohë e në çdo moment ka mbështetur Forcën e Armatosur për realizimin e misionit të saj kushtetues dhe të detyrave që burojnë nga ky mission”, u shpreh gjeneral brigade Prenga, thuhet ne njoftimin e Ministrise se Mbrojtjes.
Gjithashtu vizitorët vizituan edhe Muzeun e Forcave të Armatosura, ku gjenden të ekspozuara rreth 3600 objekte që janë përdorur gjateë gjithë ekzistencës 104-vjeçare të ushtrisë shqiptare.