Një sasi e madhe heroine është kapur në portin e Durrësit, ndërsa në prangat e policisë ka rënë një 50-vjeçar.
Paraprakisht dyshohet se heroina e kapur ka qenë 11 kilogramë, e ndarë në 25 pako dhe e fshehur në gomën rezervë të mjetit Opel me të cilën udhëtonte shtetasi A.S, me banim në Zvicër.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike”, njofton policia e shtetit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia Kufitare parandalon dhe godet rast të tentativës për trafikim të drogave të forta
Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar Heroinë.
Arrestohet në flagrancë një shtetas.
Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.
Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.
Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
(E.K/Faxweb.al)