Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe 8 të hetuarit e tjerë të dosjes së korrupsionit në Gjykatën e Krujës, ku sipas SPAK në bashkëpunim me njëri tjetrin, lironin nga burgu persona të dënuar për vepra të rënda penale.
Gazetari i Fax News, Elvis Myrta, raporton se këtë të martë SPAK pritet që ti komunikojë akuzat e ngritura ndaj Hoxhës dhe 8 personave të tjerë, e më pas do i kërkojë gjykatës së Posaçme që ti marrë ato të pandehur. Enkeleida Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku duke bashkëpunuar sipas SPAK, edhe me persona të tjerë të implikuar ne dosje, janë përfshirë në nje skemë kriminale të favorizimit dhe lirimit të të burgosurve nga Gjykata e Krujës.
Vlerat monetare që jepeshin nga të burgosurit, nëpërmjet familjarëve të tyre shkonin deri në 12 mijë euro, ndërsa SPAK ka të provuar dy raste të korrupsionit me këtë skemë. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme janë një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që implikojnë të hetuarit, ndërsa vetë te akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues.
SPAK do të çojë në gjykim dosjen për akuzën e “Korrupsionit pasiv” dhe “Korrupsionit aktiv” të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Por, përveç gjyqtares Hoxha dhe avokatit Tabaku, SPAK, ka përfunduar hetimet dhe do marrë të pandehur edhe shtetasit: Manuela Mallakuçi, e cila mbante detyrën si sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë; Shkëlqim Korbin, i cili ka qenë ekspert psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore; Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale; Altin Skëndaj; Gazmir Nezaj; Gentjan Nezaj, dhe Isuf Tanuzi.
Ndaj këtyre personave SPAK ka do kërkojë që të gjykohen nga Gjykata e Posaçme, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Ekspertim i rremë”.
Pas hetimeve SPAK ka dalë në përfundim se personat e lartëpërmendur kishin ngritur një skemë të mirëfilltë korruptive në Gjykatën e Krujës, ku shumë personazhe të njohur të botës së krimit fituan lirinë, mes të cilëve Genc Tafili, Hekuran Billa, apo edhe Indrit Dokle.
(E.K/Faxweb.al)