Punonjësi i rafinerisë së naftës, 59-vjeçari Agim Myrdini, vijon të ndodhet në majë të oxhakut të rafinerisë ku kërcënon se do të hidhet.
Në vendngjarje veç punonjësve të tjerë dhe forcave të policisë, janë të pranishëm edhe bashkëshortja e 59-vjeçarit dhe dy fëmijë të tyre, një vazjë 6 vjeçe dhe djali 12-vjeçar. Mësohet se i mituri ka tentuar të hypë në oxhak për të qenë pranë të atit, por është ndaluar nga forcat e policisë.
Ai i ka bërë thirrje babait që të zbresë nga oxhaku i rafinerisë. Agim Myrdini është baba i katër fëmijëve, dy prej tyre nga martesa e parë e tij.
Pavarësisht se forcat e policisë ndodhen në vendngjarje, nuk është marrë asnjë masë konkrete për t’i ardhur në ndihmë punonjësit që qëndron prej dy orësh në një lartësi prej rreth 50 metra. Edhe nëse ai mendon të zbresë, duket se do të jetë shumë e vështirë për të pas qëndrimit të gjatë në kushte të rrezikshme për jetën. (XH.ASHUPLAKA)