Kryeministri i vendit, Edi Rama ka kryer ditën e sotme homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në përkujtim të katër qytetarëve, të cilët u vranë më 21 janar 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
I shoqëruar edhe nga familjarët e vikamave, kryeministri vendosi trëndafila të kuq në memorialin e fiksuar në bulevard në nder të qytetarëve që humbën jetën.
Pas homazheve, Rama ka ftuar familjarët e viktimave në ambientet e kryeministrisë, ndërsa nuk bëri asnjë reagim për mediat.
Nga Partia Socialiste, konkretisht Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Erion Braçe kanë kërkuar që vrasjet në demonstratën e para 12 viteve të hetohen nga SPAK.
Gjithashtu edhe familjarët kanë kërkuar nga SPAK ta rihapë çështjen dhe të bëjë drejtësi për të afërmit e tyre, që humbën jetën në demonstratën e organizuar në atë kohë nga Partia Socialiste, ndërsa në krye të qeverisë ishte kreun i PD-së, Sali Berisha.
Në demonstratën e 21 janarit u qëlluan për vdekje Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.