5 familje në Vlorë në lagjen “10 korriku” rrezikojnë të ngelen pa shtëpitë e tyre edhe pse kanë shlyer çdo detyrim ndaj shtetit.
Sipas zyrës së ALUIZ-it në Vlorë, këto familje janë përjashtuar nga procesi i legalizimit për shkak se tokës i ka dalë një pronar, i pa përcaktuar, i cili ka nënshkruar nje kontrat me një firmë private ndërtimi që në këtë zonë do të ndërtojë pallate.
Njëri prej banorëve u shpreh për ‘Fax News’ se ai ka paguar deri tani të gjitha detyrimet dhe kjo çfarë po u bëhet atyre është e padrejtë.
“I kam paguar të tëra, të katër zarfet, çfarë ka kërkuar ALUIZ-ni, tani ka ardhur një njoftim se është pezulluar legalizimi se do bëhet një bllok pallatesh”, tha ai.
“I kemi kërkuar se për cfarë arsye është pezulluar ALUIZ-it, s’ka kthyer përgjigje. Kemi marrë avokat, ja kam lënë ta ndjek këtë çështje, jemi 4 familje që u ka ardhur vendimi. Kam 20 vjet që banoj këtu, nuk ka mangësi në dokumente. Kam paguar të gjitha detyrimet”, shtoi ai, i indinjuar me me situatën e krijuar.
Kryefamiljari Harunaj tha se se tokën e ka blerë nga shteti, dhe nuk ka pas pronar sipas ALUIZ-it dhe ZVRPP ndërsa, sot rezulton me një pronar fiktiv.
Banorët thonë se përveç mungesës së informimit sot po përballen dhe me presionin e punonjësve të bashkisë, të cilët shkojnë dhe u thonë të braktisin shtëpitë, në të kundërt do tu shemben e nuk do të fitojnë asgjë.
Ndërkohë për ‘Fax News’ ka folur edhe avokati që do të ndjekë në rrugë ligjore këtë çështje, Kujtim Cakrani.
Ai tha se kjo që po ndodh është një padrejtësi e madhe për këta banorë duke hedhur dyshime për korrupsion ndaj institucioneve shtetërore.
Cakrani deklaroi se dyshon që leja e ndërtimit të jetë dhënë nga bashkia në “mënyrë të errët”, duke theksuar se banorët janë të pambrojtur.
“Është një vendim i marrë në mënyrë të kundraligjshme, këta banorë duhet të ishin pajisur me leje legalizimi dhe certifikatën e pasurisë, por duke qenë se ALUIZ-ni është bërë burim korrupsioni, edhe sipas sondazheve, ndoshta kërkojnë ryshfet.
Këta banorë janë të pambrojtur, si mundesh ti hedhësh në rrugë, se është e drejtë kushtetuese e drejta për strehim. U bëhet presion. Ne i kemi kërkuar informacion bashkisë, mesa duket nuk do ta japë këtë informacion dhe dyshojmë se leja e ndërtimit është dhënë në mënyrë të errët.
Mënyra e ndërtimit të këtij blloku pallatesh është e errët dhe ne do ta çojmë deri në fund”, tha avokati Cakrani ndër të tjera. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post