Nga Denis Shtylla
Mashtrimi si përbuzje ndaj publikut!
Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, kanë javë të tëra që propagandojnë nëpër ekrane televizionesh dhe rrjete sociale aksionin e mbjelljes së pemëve në Tiranë. Në më shume se 1 rast kam parë Erion Veliajn të përmendë pa ta keq shifrën e 120 mijë pemëve të mbjella.
Po çfarë do të thotë saktësisht kjo shifër? Nëse do të merrnim datën 1 janar 2018 si fillim të aksionit dhe 30 prillin si përfundimin e tij, 120 mijë pemët e propaganduara, i bie të jenë mbjellë në 4 muaj.
Kjo do të thotë që mesatarisht janë mbjelle 30 mijë pemë në muaj, që do të thotë 1 mijë pemë në ditë (duke futur edhe të shtunat e të dielat), që do të thotë akoma 41.7 pemë në orë (pa pushim gjatë nates).
Pra, që të jemi të qartë: sa herë Lali Eri na përplas fytyrës shifrën e 120 mijë pemëve, ajo që na thotë praktikisht është që përgjate 4 muajve, në Tiranë është mbjellë çdo 1 minutë e 25 sekonda nga një pemë dhe kjo 24 orë pa pushim, 7 ditë në 7.
Vetë koncepti i mesatares nënkupton që mund të ketë patur ditë që të jenë mbjellë më pak se 1 mijë pemë, ama këto i bie të jenë kompensuar me ditë kur janë mbjellë detyrimisht më shumë se 1 mijë pemë.. Tani, a ka njeri me mend në kokë të besojë se Bashkia e Tiranës ka mjaftueshmërisht kapacitete për të mbjellë, qoftë edhe në 1 ditë të vetme, 1 mijë pemë në qytet?!
Për efekt krahasimi, në një program të ngjashëm, Bashkia e Londrës kishte vënë në dispozicion të 29 projekteve lokale rreth 400 mijë £ për mbjelljen e 20 mijë pemëve gjatë sezonit vjeshtë/dimër 2017/18. Njëlloj, në faqen e saj, Bashkia e Parisit angazhohet që deri në 2020, të mbjellë 20 mijë pemë të reja në qytet.
Pavarësisht buxheteve dhe energjive të pakrahasueshme që kanë në dispozicion, objektivi i këtyre 2 bashkive është… vetëm sa 1/6 e atij të bashkisë së Tiranës, të cilin për më tepër, lali Eri e realizon në 4 muaj.
Mbjellja e pemëve në Tiranë është padiskutim një gjë e mirë, qoftë edhe sikur të mbillet 1 pemë, është më mire se 0. Ndaj Bashkia mund të kishte arritur shumë mirë efektin e saj propagandues edhe duke thënë shifra me të besueshme, si 10 mijë, apo 20 mijë pemë. Zor se do dilte njeri të ankohej “jane pak”, ndërkohe që kundërshtarët e tij të flaktë, ata që këtë aksion e shohin si make-up për të kuruar imazhin e betonizuesit të qytetit, njëlloj do ta kundërshtonin edhe sikur ai të mbillte vërtet (jo vetëm me fjalë) 500 mijë pemë.
E kuptoj që për një politikan, të gënjejë herë pas here për qëllime propagande, është mëse normale. Është ves që i prek pak a shumë të gjithë, kudo, madje edhe në vendet më të zhvilluara. Mirëpo ajo që zor se ndodh tjetërkund, është që gënjeshtra të serviret në mënyrë kaq të trashë e të pabesueshme. Duhet ta perbuzësh tej mase inteligjencën e publikut, që t’i servirësh një broçkull të tillë thuajse përdite, pa t’u dridhur qerpiku.
Sepse sado t’i kontrollosh mediat e t’iu shpërndash atyre kaseta, sado të marrësh masa që pyetjet me të cilat do të përballesh në studio televizive të jenë të padëmshme (për hir të së vërtetës, kjo e fundit të vjen shpesh edhe si dhuratë e pakërkuar nga niveli i ulët i bashkëbiseduesve), sërish mbetet meraku i njerëzve që të dëgjojnë nga shtëpia. Llogarinë time të mësipërme edhe një nxënës i klasës së 5-të e bën. Mirëpo kjo nuk e pengon Lalin tonë kombëtar, ta përsërisë buzagas sa herë i jepet mundësia.
Përfundimi: Ai i mendon vërtet shqiptarët, ose të paktën pjesën dërmuese të tyre, si një tufë injorantësh për të cilët as kujdesi për gënjeshtrën nuk ka më rëndësi, përkundrazi, sa më e pabesueshme dhe qesharake të jetë ajo, aq më mirë!