123 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar në Tepelenë. Në sajë të operacionit ‘’Vjosa” Policia ka arrestuar Seit Bejkon, 58 vjeç banues në Dukaj të Tepelenës.
Po ashtu është proceduar një i moshuar në gjendje të lirë. Në një banesë të këtij shtetasi në fshatin Gusmar (në të cilën nuk banonte aktualisht), nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë me lëndë të dyshuar narkotike.
DETAJET E POLICISË:
Goditen dy raste të Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “VJOSA”.
Sekuestrohen gjithsej 123 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër.
Në vijim të Planit Operacional të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për evidentimin dhe goditjen e vendmagazinimit të lëndëve narkotike, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave që kryejnë këtë veprimtari kriminale, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasi S.B. dispononte lëndë narkotike në banesën e tij në fshatin Dukaj, Tepelenë, nga seksioni për Hetimin e narkotikëve në D.V.P Gjirokastër dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë u zhvillua operacioni “VJOSA”.
Si rezultat i operacionit, nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën disa thasë, brenda të cilëve kishte lëndë narkotike Cannabis Sattiva.
Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 66 kg.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi :
S.B, 58 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Tepelenë.
———————————-
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës) për shtetasin :
Z.B, 83 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Tepelenë, pasi:
Në një banesë të këtij shtetasi në fshatin Gusmar (në të cilën nuk banonte aktualisht), nga shërbimet e policisë u gjetën disa thasë me lëndë të dyshuar narkotike.
Pesha totale e lëndës ishte 57 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
(E.K/SHUPLAKA)