I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili, kryeministri Edi Rama është përgjigjur për herë të parë lidhur me 1300 kontenierët e zhdukur, të cilët ishin nisur tranzit nga Italia, për të kaluar në Maqedonisë përmes Shqipërisë.
Sipas Ramës, kjo histori është një poshtërsi e mirëorganizuar, e publikuar në Itali për t’u bërë më e besueshme.
“Ajo është një poshtërsi e mirëorganizuar, është shprehja e dëshpërimit të opozitës që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë për të futur një panik të tillë që njerëzit që të dalin në rrugë. E përsëris, është një poshtërsi e mirëorganizuar ku janë përfshirë një sërë faktorësh. Janë paguar. Për t’u bërë si më e besueshme u hodh matanë detit dhe u fut më pas këtu, dhe e gjitha është një skenar monstruoz që nuk pati sukses. Bëhet fjalë për 1300 kontenierë, nuk bëhet fjalë për 1300 çanta me kaseta”, deklaroi Rama.
Lajmi për 1300 kontenierët e zhdukur u publikuar për herë të parë nga portali italian “Pianeta Italia”, më vonën në gazetën më të vjetër italiane “Roma” dhe më tej u përhap në shumë media të tjera jo vetëm shqiptare. (D.D/Shuplaka)