Një sasi e madhe kubikësh me kanabis janë sekuestruar gjatë një operacioni të Policisë së Bulqizës, “Ballenjë-2019”, ku janë zbuluar dhe armë zjarri dhe municion luftarak.
Nga ana e policisë janë arrestuar dhe 3 persona në flagrancë: A.Ll, 26 vjeç, banues në Mirditë, K.H, 25 vjeç, banues në Tiranë dhe O.K, 23 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit , si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në malin e Ballenjës, njësia administrative Martanesh, disa persona po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike, nga ana e Komisariatit të Policisë Bulqizë, u organizuan shërbime sekrete, dhe si rezultat u finalizua me sukses operacioni policor “Ballenjë-2019”.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
- Një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishek
- 1324 kubik(gota plastike), të mbjella të dyshuara me fara cannabis sativa
- Vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike.
Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim.